Vlorë, 24 Shkurt 2011 NOA – Aksident me pasojë vdekjen e një të riu dhe plagosjen e bashkëshortes së tij ka ndodhur pasditen e sotme në Qeparo.
Korrespondenti i agjencisë NOA raportin se viktima është Aurel Kapa, 29 vjeçar kurse e plagosur ka mbetur e shoqja 23 vjeçe, A.Kapa.
Burime policore i thanë agjencisë NOA se aksidenti fatal ndodhi sot në orën 15.40 në hyrje të fshatit Qeparo, kur Aureli ishte duke drejtuar makinën e tij tip Fiat me targa të Vlorës, me drejtim Himarën.
Në një moment, Aureli ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga dhe përplasur anash saj.
Si rezultat i përplasjes së fortë, Aurel Kapa ka gjetur vdekje të menjëhershme.
Kalimtarë të rastësishëm kanë mbërritur në vendngjarje duke bërë të mundur nxjerrjen nga makina të 23 vjeçares e cila u dërgua në spitalin e Vlorës ku momentalisht ndodhet në gjendje të rëndë, por pa rrezik jete.
Një grup policor ka shkuar në vendngjarje për të kryer hetimet e rastit sipas procedurës rutinë.
e.t/NOA