Prishtinë, 24 shkurt, NOA - Zëvendës-shefi i Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Andy Sparkes, i tha BBC-së se EULEX-i nuk ka ende të dyshuar konkret për akuzat e ngritura në raportin e senatorit zviceran. Dick Marty.
Por ai tha se misioni ka vënë një komunikim me senatorin Marty dhe ripërsëriti thirrjen për dorëzimin e dëshmive për dyshimet e ngritura në raport.
Ambasadori Andy Sparkes tha se të gjitha rastet e hetimeve të profileve të larta, të dyshuara për përfshirje në korrupsion, janë duke u shqyrtuar dhe i cilësoi ato si të komplikuara që do të marrin kohë për t’u proceduar.
Sipas tij, misioni nuk dëshiron që të dështojë në trajtimin e këtyre rasteve dhe ka thënë se ligji duhet të jetë mbizotërues në çdo rast.
Ai tha se do të ishte mirë që dialogu mes Prishtinës e Beogradit, me lehtësimin e BE-së, sa më shpejt të krijonte hapësirë për një jetë normale dhe përparim për veriun e Kosovës.
Ambasador, puna e EULEX-it në Kosovë është parë në forma të ndryshme. Ka zëra që thonë se ai e ka përmbushur mandatin e tij, por ka të tjerë që i shohin veprimet e tij më shumë si spektakolare. Ju mund të më thoni se keni arritur rezultate. Në fakt, a është Kosova në rrugë të mbarë të vendosjes së rendit dhe ligjit, së bashku me EULEX-in?
Është një proces që po vazhdon. Vendosja e rendit dhe ligjit në këtë shtet të ri nuk është diçka që mund të arrihet me një shpejtësi prej 5 minutash. Mendoj se puna ku EULEX-i vërtetë po bën ndryshime, nuk është diçka që ju e përshkruat si spektakolare në rastin e hetimeve, ku mediat kanë shfaqur interes, rreth rasteve të profileve të larta. Është gjithashtu një punë e përditshme në vëzhgimin dhe këshillimin e institucioneve kosovare në drejtësi, prokurori, në shërbimet korrektuese, në dogana dhe polici. Është më e vështirë për ta matur me shprehje dramatike, por unë besoj se ne po arrijmë përparime, por ka edhe lojtarë të tjerë në këtë lojë, përfshirë edhe amerikanët që po kontribuojnë shumë, në veçanti në gjykata dhe drejtësi. Pak nga pak Kosova po shënon përparime dhe ajo ka standarde të përcaktuara në dogana dhe polici që mund të krahasohen edhe me pjesën tjetër të rajonit.
Misioni është i përfshirë në fushën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. EULEX-i thotë se këto dukuri mund të luftohen vetëm me përfshirjen e plotë të institucioneve të vendit. Qytetarët, ndërkaq presin që ju ta bëni këtë luftë. Kemi parë aksione në të kaluarën, por jo rezultate të qarta?
Është e vërtetë se EULEX-i ka një mandat të kufizuar ekzekutiv, ku mund të veprojmë pavarësisht nga autoritetet e Kosovës me qëllim të ofrimit të një besimi se askush nuk është mbi ligjin deri në kohën kur të bëhet një parim i vendosur në Kosovë dhe të jemi qind për qind të bindur se institucionet e Kosovës do të jenë të fuqishme ndaj çfarëdo ndërhyrjeje politike ose ndonjë tjetër. Ky është një lloj kapaciteti i përkohshëm që ne kemi në marrëveshje me autoritetet e Kosovës. Keni të drejtë kur thoni se ka vend për autoritetet lokale. Do të nënvizoja sërish, siç kam bërë edhe në të kaluarën, se qytetarët e Kosovës nuk duhet të gjykojnë nëse ka rend dhe ligj në Kosovë, thjeshtë, vetëm nëse EULEX-i, si EULEX, ka arritur këtë ose atë rezultat, ose nuk ka arritur këtë. Është edhe çështje se sa autoritetet lokale, në nivele më të ulëta, në komuna, e kanë luftuar korrupsionin. Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk fillon vetëm me spektakle ose me të ashtuquajturit “peshq të mëdhenj”, por duhet të ketë ndryshime të mëdha, më shumë në nivele të ulta me qëllim që kultura e mosndëshkimit dhe manipulimeve që ekziston të tejkalohet.
Por qytetarët i shohin zyrtarët e lartë, në një farë mënyre, të jenë të përfshirë të afera korruptive. A munden zyrtarët e lartë të Kosovës të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar? A janë të aftë ta bëjnë këtë?
Do të ishte një deklaratë gjithëpërfshirëse të thuhet se zyrtarë të lartë janë të përfshirë në krim të organizuar. Mund të jenë disa zyrtarë të lartë që janë të përfshirë dhe disa që janë të korruptuar dhe ata mund të ndikojnë në imazhin e përgjithshëm. Unë po flas si një njeri që ka kaluar tre vjet këtu dhe e di se ka njerëz të mirë dhe të kualifikuar që japin një shpresë për këtë vend, përfshirë edhe ata në nivele të larta.
Ambasador, ju do të më thoni se hetimet po vazhdojnë, posaçërisht kur bëhet fjalë për rastet e profileve të larta të përfshirjes në korrupsion. Çfarë rezultatesh mund të presim dhe kur?
Koha e rezultateve në këto raste të profileve të larta është në duart e procesit gjyqësor. Nuk është diçka që mund të vendoset ose të afatizohet politikisht, në asnjë mënyrë. Përgjigja është nuk e di se sa do të marrë kohë. Këto raste janë të komplikuara. Nuk duam të dështojmë me këto raste, qoftë në rastin kur të merret vendimi se nuk ka dëshmi të mjaftueshme ose kur të duam që këto dëshmi të shkojnë tutje, për të arritur rezultate. Unë e kuptoj se njerëzit nuk ka durim, por ne do të arrijmë atje.
A mund të ketë ndërhyrje të EULEX-it në punën e Kuvendit të Kosovës, në rast se hetimet që po zhvilloni mund të prodhojnë dëshmi të qarta për përfshirje të zyrtarëve të lartë në afera të ndryshme?
Të jemi të qartë. Rendi dhe ligji janë dominues. Ky është parimi mbi të cilin ne veprojmë dhe përse jemi këtu. Prandaj rendi dhe ligji duhet të mundësohen që të procedojnë dhe pavarësisht nga bezdia politike që mund të krijohet, kjo është çështje dytësore.
Do të doja që të diskutojë me ju një çështje tjetër. Atë të raportit të senatorit Dick Marty. Ju i keni kërkuar zotit Marty të ofrojë dëshmitë e tij dhe keni thënë se hetimet paraprake janë hapur. A do të shohim vazhdimin e hetimeve rreth akuzave të bëra?
Keni të drejtë, ne kemi hapur hetimet paraprake. Për momentin nuk ka të dyshuar konkret, por dosja është hapur. Ka patur vendosje të bazave për hetime të mëtejme, në këtë rast me Shqipërinë, ku prokurorët tanë kanë qëndruar dhe gjithashtu ka patur edhe diskutime në Beograd. Prandaj hapat përgatitor janë ndërmarrë. Ne jemi në komunikim me senatorin Marty. Ne do të përsërisim se duam që të gjithë ata që kanë dëshmi konkrete, të na mundësojnë që të përcjellim ato për të cilat ai ka ngritur dyshime në aspektin e drejtësisë, që të dorëzojnë dëshmitë me qëllim që ne të procedojmë. Ne si EULEX jemi të gatshëm dhe të aftë ta bëjmë këtë.
Keni marrë ndonjë gjë nga zoti Marty ose nga misioni i OKB-së, UNMIK, që thuhet të ketë hetuar këtë rast më herët?
Me sa e kuptoj, ka disa informata, përfshirë edhe ato që kanë rrjedhur në media, që ndërlidhen me periudhën e UNMIK-ut. Unë jam i sigurt se njerëzit tanë do t’i kenë ato në duart e tyre. Por sa i përket dëshmive në formën e dëshmitarëve për të proceduar me një hetim zyrtar ne duhet t’i kemi ato nga ata që mund të na i ofrojnë ato.
Pra, ju thoni se zoti Thaçi nuk është nën hetime deri tani?
Nuk ka të dyshuar konkret deri tani. Raporti thotë atë që thotë dhe ne do t’i bazojmë pikëpamjet tona në dëshmi.
Ambasador, ta diskutojmë një çështje tjetër. Atë të Gjykatave në veri të Kosovës. Ka patur përgatitje të EULEX-it për t’i hapur ato gjatë vitit të kaluar. Ka patur shumë thashetheme se si dhe kur do të hapen pastaj. Më thoni, kur do t’i shohim këto Gjykata të jenë të hapura?
: Më duhet të korrigjoj një perceptim të gabuar. Këto gjykata janë të hapura dhe ato janë hapur më shumë se një vit me gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë të EULEX-it si dhe me administratorë shqiptarë dhe serbë të Kosovës. Ata tashmë kanë dëgjuar shumë raste, përfshirë edhe raste të veçanta serioze, dhe diku rreth 100 raste janë në përgatitje. Por ajo që ne duam dhe gjithashtu jam i sigurt se edhe komunitetet e vendit duan, është funksionimi i plotë i Gjykatave me përfshirjen e gjykatësve dhe prokurorëve shqiptarë dhe atyre serbë siç ka qenë më parë. EULEX-i e dëshiron këtë dhe duam që të mund të operojmë në këto gjykata ashtu siç veprojmë në të tjerat në Kosovë, së bashku me kolegët tanë lokalë. Do të ishim shumë të lumtur që të shohim që impasi politik të jetë zgjidhur përmes dialogut ose fleksibilitetit të njërës ose palës tjetër.
Pra, ju prisni që gjykatat në veri të jenë pjesë e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit?
Çështja e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit është çështje e të dyja autoriteteve që ta zgjidhin së bashku me lehtësuesit e BE-së, por natyrisht se do ta ndihmonte EULEX-in nëse çështjet që aktualisht e bëjnë të vështirë që veriu të funksionojë normalisht të zgjidhen, me qëllim që ne ta kryejmë punën tonë më mirë dhe që qytetarët të përfitojnë.
Mund të jeni më specifik, Gjykatat në veri dhe çështjet e tjera që ndërlidhen me jetën e përditshme të qytetarëve në veri, a do të jenë pjesë e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit?
EULEX-i nuk e kontroll dialogun. Me të merret zyra e zonjës Ashton. Unë besoj se do të ishte një gjë e mirë nëse dialogu do të krijonte sa më shpejt të jetë e mundur më shumë hapësirë për një jetë normale dhe përparim më të mirë për njerëzit në veri.
BCC