E enjte, 24 shkurt 2011, NOA- Pak më parë ministrat e brendshëm të Bashkimit Europian shqyrtuan procesin e liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit.
Pavarësisht diskutimeve lidhur me këtë proces nuk është miratuar asnjë ndryshim.
Mësohet se Franca dhe Holanda kërkuan të merret në konsideratë kërkesa e tyre për shfuqizimin e mundshëm e të përkohshëm të liberalizimit të vizave për vendet që nuk respektojnë kushtet e liberalizimit.
Ky argument doli si kërkesë pas fluksit masiv të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, kryesisht Serbia dhe Maqedonia në vendet e zonës Shengen.
Ministrat u njohën me mekanizmat e funksionimit të mbikëqyrjes së procesit të liberalizimit, ndërsa në qershor pritet hartimi i një raporti më të detajuar.
Michele Cercone, zëdhënës i Komisionerit Europian për Punë të Brendshme, Sesilia Malmstrom theksoi se eurokomisionerja Malmstrom i ka arsyetuar ministrave të BE-së veprimin e mekanizmit mbikëqyrës, të miratuar pas heqjes së vizave për Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë në nëntor të vitit të kaluar.
Bëhet me dije se ministrat vetëm kanë dëgjuar raportin e Malstrom, ndërsa nuk ka pasur asnjë kërkesë apo vendim rreth tij.
Komisioni Evropian është përgjegjës për të vlerësuar se a do ta dërgojë propozimin për shqyrtim edhe pranë këshillit të ministrave të BE-së.
a.y/NOA