English

Berisha: Pas viktimave të 21 janarit fshihen organizatorët

Tiranë, 24 shkurt 2011, NOA – Duke iu referuar akuzave të opozitës që e cilësojnë atë si Gheddafin e Shqipërisë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi në kuvend se “Enver Hoxha nuk mund të krahasohet me Gheddafin e me Ben Ai, por vetëm me Hitlerin”. Duke folur për hetimin e 21 janarit, shefi i qeverisë siguroi opozitën dhe popullin se do të ketë hetim të plotë të 21 janarit.

Ai riktheu akuzat ndaj Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, duke e akuzuar atë se si shoqe e bulevardit po bën gjithçka për të treguar se është autore e puçit, duke fjetur mbi provat.

“Ju po pengoni hetimin e organizatorëve se dilni direkt fajtorë për vrasjen e demonstruesve, se prapa viktimave qëndrojnë organizatorët, që nga klubi i Fidelit jepnin urdhër për shpërthimin e dyerve të kryeministrisë”, akuzoi Kryeministri Berisha deputetët e opozitës.

Ai theksoi se opozita ka tmerr nga hetimi i organizatorëve të 21 janarit, porse nga ana tjetër i siguroi ata për hetimin e plotë të ngjarjeve.

Kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij i bëri thirrje opozitës për të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 8 majit.

“Ju ftoj të dilni nga spiralja ku e futët veten. Garantoj se do të bëhet gjithçka për zgjedhje të lira, e të ndershme e do të bëj gjithçka që këto zgjedhje të organizohen në mënyrën më transparente”, garantoi kryeministri Berisha.

Ai falenderoi SHBA-të për mbështetjen e madhe që po i japin zgjedhjeve të 8 majit, pa lënë mënjanë edhe falenderimin për OSBE-në.

mit/NOA

KOMENTE