Tiranë, 24 shkurt 2011, NOA- Sapo kam mbarua takimin me z. Countryman. Ishte një takim i hapur për situatën politike në vend, për politikën e jashtme të Shqipërisë dhe të gjitha çështjet e tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet tona dypalëshe dhe shumëpalëshe.
Për sa takon situatës politike në vend, kam vlerësuar qëndrimin konsistent të SHBA-së, si dhe koordinimin e veçantë që ka patur me qëndrimet e BE-së dhe OSBE-së për çështjet më themelore të kësaj situate - konkretisht për atë që Shqipëria është një vend demokratik dhe që këtu funksionojnë institucionet, që të gjitha zgjidhjet duhet të gjenden brenda institucioneve dhe klasa politike, maxhoranca dhe opozita duhet të ushtrojnë përgjegjësitë përkatëse kushtetuese në mënyrë që të ruajnë thelbin demokratik të vetë sistemit.
Pyetje-përgjigjet me gazetarët:
Z. Haxhinasto cili ishte mesazhi i SHBA-së për sa i përket dy çështjeve kryesore; hetimi i ngjarjeve të 21 janarit dhe përgatitja e zgjedhjeve të 8 majit?
Për çështjen e hetimit të 21 janarit, SHBA vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrimin – domethënë që të zhvillohet një hetim i plotë, i përgjithshëm i ngjarjeve të 21 janarit, duke filluar që nga organizatorët dhe deri tek pasojat. Për sa i takon zgjedhjeve, SHBA-të presin që çdo parti politike të ushtrojë përgjegjësitë e saj kushtetuese sepse nuk janë vetëm përgjegjësi politike, por edhe kushtetuese, për t’u dhënë mundësi qytetarëve shqiptarë që, në ditën e votimit, të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë demokratike dhe sipas standardeve më të larta për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
A e informuat z. Countryman për sa i përket nismës më të fundit të maxhorancës për të kufizuar imunitetin, si një nismë për të luftuar korrupsionin. Cili është qëndrimi i SHBA-së për këtë pikë.
Nuk kemi folur për këtë çështje. SHBA kanë mbajtur qëndrime të mëparshme, të cilat janë shumë të qarta, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe askush nuk mund të mbrohet nga imuniteti për të evituar zbatimin e ligjit. Faleminderit!
a.y/NOA