Tiranë, 24 shkurt 2011, NOA- Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ditën e sotme priti në një takim të veçantë Sekretarin e Shtetit për çështjet politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Republikës së Kroacisë, Mario Nobilo.
Gjatë takimit bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe konfirmuan vullnetin politik të palëve për mbajtjen e njё dialogu politik intensiv.
Në takim u bisedua për intensifikimin e bashkёpunimit nё fushёn e ekonomisё, shkëmbimeve tregtare, biznesit, turizmit, kulturës, etj.
Më tej u nënvizua domosdoshmëria që Kosova të jetë pjesë e proceseve integruese rajonale, duke u bërë pjesë e vizionit dhe perspektivës evropiane të rajonit.
Pas këtij takimi, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto mori pjesë edhe në leksionin me temë “Bashkëpunimi rajonal i vendeve të pellgut të Adriatikut” që Sekretari i Shtetit, Mario Nobilo, mbajti në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme në praninë e diplomatëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë dhe të ftuarve të tjerë.
Nobilo ndodhet në Tiranë me rastin e zhvillimit të Konsultimeve Diplomatike midis dy Ministrive të Punëve të Jashtme.
a.y/NOA