Tiranë, 24 shkurt 2011, NOA – Pas takimit me Zëvendës Ndihmëssekretarin amerikan të shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Thomas Countryman, i cili mbërriti në Tiranë për të përgatitur vizitën e nesërme të shefit të tij, Zëvendëssekretarit të Shtetit James B. Steinberg, Zëvendëskryeministri e Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto ka zbardhur qëndrimin amerikan të artikuluar nga Countryman. Në një prononcim për mediat pas takimit me Countryman Ministri Haxhinasto theksoi se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbajtur një qëndrim të qartë duke i bërë thirrje të gjitha partive politike të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre”.
Ministri i Punëve të Jashtme ritheksoi se mesazhi i SHBA-ve është se kriza politike mes mazhorancës dhe opozitës duhet të zgjidhet përmes dialogut.
Duke iu referuar këtij mesazhi të artikuluar nga Countryman, zoti Haxhinasto ritheksoi mesazhin e SHBA-ve që thotë se “Është i domosdoshëm një hetim i plotë dhe i 21 janarit”.
Sipas Haxhinastos në referencë të zgjedhjeve vendore në pritje, “Zgjedhjet presin që çdo parti të ushtrojë përgjegjësitë kushtetuese për t’i dhënë mundësinë qytetarëve që në ditët në vijim të shprehin vullnetin në mënyrë demokratike sipas vullnetit”.
Kreu i diplomacisë shqiptare zbuloi se gjatë takimit me Countryman u fol për politikën e Jashtme dhe për marrëdheniet shumëpalëshe.
Zëvendës/Ndihmëssekretari amerikan i shtetit Thomas Countryman vizitoi Tiranën në kuadër të turit katërditor në Ballkan të Zëvendës/Sekretarit të Shtetit James B. Steinberg, i cili do të vizitojë nesër kryeqytetin shqiptar.
Pritet që në qendër të vizitës së zyrtarit të lartë amerikan të jenë zgjedhjet vendore të 8 majit dhe zgjidhja e krizës politike, por edhe roli i Prokurores së Përgjithshme në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, një rol i vënë në dyshim nga mazhoranca e cila e akuzon kryeprokuroren Ina Rama se është autore e grushtit të shtetit të 21 janarit dhe se po bashkëpunon me opozitën duke mos hetuar mbi organizatorët e demonstratës së dhunshme në 21 janar, ku u vranë katër demonstrues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
mit/NOA