English

OSBE, Azubalis: I gatshëm të ndërmjetësoj për zgjidhjen e krizës

Vjenë, 24 shkurt 2011, NOA – Ministri i Jashtëm i Lituanisë Audronius Azubalis, duke folur për situatën e rënduar politike në Shqipëri deklaroi sot se është i gatshëm të negociojë për të zgjidhur krizën politike shqiptare e krijuar mes mazhorancës dhe opozitës fill pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të 28 qershorit të vitit 2009. këtë deklaratë kreu i diplomacisë lituaneze, që kryeson edhe Presidencën e OSBE-së e bëri gjatë mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë Audronius Azubalis u shpreh se është i gatshëm që të ofrojë të gjithë mbështetjen e duhur, për zgjidhjen e krizës.

Sipas Azubalis zgjidhja e krizës politike i shërben të dyja palëve kundërshtare, të cilët sikundër tha ai nuk ndalen në qëndrimet e tyre për plotësimin e kushteve të vëna për arritjen e dialogut politik.

Më herët, pas demonstratës së 21 janarit Kryetari i radhës i Presidencës së OSBE-së Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Audronius Azubalis u bëri thirrje shqiptarëve që të përmbahen nga përdorimi i dhunës, pas demonstratës së dhunshme ku mbetën të vrarë katër demonstrues.

Azubalis i kishte bërë thirrje edhe forcave politike që të nisin sa më parë dialogun dhe bashkëpunimin, pasi sikundër vlerësoi ai kriza politike zgjidhet vetëm përmes dialogut e bashkëpunimit të ndërsjellë, ndërkohë që po sipas tij “Dhuna dhe deklaratat provokative vetëm e përkeqësojnë situatën politike”.

mit/NOA

KOMENTE