Arta, 24 Shkurt 2011 NOA -
Një i ri shqiptar ndodhet në gjendje të rëndë në spital, ku mbikëqyret nga policia, pasi u plagos me armë zjarri nga forca policie gjatë një aksioni nën dyshimet se ai po kryente një grabitje banke.
Marsel Goga, 36 vjeç, emigrant shqiptar që prej vitesh jeton në Greqi, është personi që mbeti i plagosur në Arta.
Ngjarja ndodhi dje në orën 09.30 kur i riu dyshohet se u përpoq të grabiste Alpha Bank, filialin që ndodhet në qendër të qytetit Arta.
Por pikënisja e ngjarjes sipas policisë, ishte në orët e para të ditës së djeshme, kur në rajonin e Thesprotisë, Marsel Goga akuzohet se ka vjedhur një makinë, duke kërcënuar me pistoletë pronarin e mjetit derisa u largua me pronën e tjetrit.
Për më tepër, grabitësi qëlloi dy herë në ajër me pistoletë pasi hasi me rezistencë të të riut grek dhe nënës së tij që ndodheshin në makinë gjatë momenteve të plaçkitjes me armë.
Pak orë më vonë, në 9.30 të mëngjesit, Marseli me pistoletën e llojit “Tokarev” në dorë, ka hyrë në Alpha Bank dhe duke kërcënuar me jetë personelin e bankës dhe klientët që ndodheshin aty, ka arritur të marrë 32 500 euro dhe të zhduket me shpejtësi, me makinën po ashtu të grabitur.
Në momentet që sapo kishte hipur në makinë, forca policore që kishin rrethuar rrugën, sikundër shihni dhe në foton e aksionit, i kërkuan të dorëzohen. Policia ishte njoftuar përmes sinjalit të alarmit që një punonjës i personelit kishte arritur të lëshonte në butonin që është i lidhur direkt me sallën operative policore.
I dyshuari refuzoi të pranojë dorëzimin dhe u përpoq të largohet me automjetin. Në ikje e sipër u përplas me një makinë policie dhe me dy të tjera që gjendeshin të parkuara anash rrugës.
Në këto momente ai është qëlluar drejtpërdrejt nga një polic i cili e plagosi në shpatull dhe në krah.
Marseli ka rënë në tokë i përgjakur dhe këtu policët e tjerë kanë vrapuar ta prangosin. Ata e kanë dërguar në spitalin e Artës ku ndodhet nën kujdes mjekësor dhe mbikëqyrje policore.
Shefi i Policisë së Artës, Jorgos Dokomes, tha se të dyshuarit iu gjetën dhe sekuestruan një pistoletë e llojit Tokarev, 55 fishekë dhe e gjithë sasia prej 32 500 euro që grabiti tek Alpha Bank.
Dokomes tha se nga vëzhgimi i dosjeve doli se Marsel Goga ishte dënuar me 42 vjet burg për grabitje të dhunshme dhe nga janari i vitit 2001 gjendej në burgun e Patrës për të vuajtur dënimin.
Në tetor të vitit 2010, pas afro dhjetë vjetësh, ai kishte arritur të merrte leje provizore për të qëndruar tek të afërm në Patra.
Kjo ishte hera e fundit që Marseli pa qelitë derisa dje u përfshi në grabitjen e radhës.
Por policia thotë se ka dyshime të forta se Marsel Goga është përfshirë dhe në grabitje të tjera të ndodhura nga tetori i kaluar deri tani.