Tiranë, 24 shkurt 2011, NOA – Pas letrës së Presidentit dërguar partive politike për të negociuar për zgjidhjen e krizës politike në vend, një krizë e cila po mban peng politikën shqiptare qysh prej zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, Lideri i opozitës Edi Rama i është drejtuar sot me një letër kryetarit të Shtetit Bamir Topi, duke theksuar se kriza në vend është më e thellë se politike. Shefi i opozitës duke shprehur mirënjohjen ndaj Presidentit të Republikës i bën atij me dije se “lejomëni t`ju shpreh qysh në fillim respekt, mirënjohje për qëndrimin tuaj të matur e përpjekjen konstruktive në kërkim të rrugëdaljes prej udhëkryqit dramatik ku e ka mbërthyer Shqipërinë kriza e gjithanshme”.
“Por më lejoni njëkohësisht të nënvizoj edhe bindjen e palëkundur të opozitës shqiptare se kriza politike, ku ju vendosni fort theksin e shqetësimit tuaj, është veçse simptoma më kuptimplotë e një krize shumë më të rëndë sesa thjesht politike”, shkruan Kryesocialisti Rama në letër.
Sipas Ramës kjo është kriza e kapjes së shtetit për interesat e pushtetit, e cila sikundër theksoi shefi i opozitës, “përthyhet në një demokraci të kërcënuar në çdo aspekt, drejtësi të kompromentuar në çdo nivel të pushtetit gjyqësor, ekonomi të rrënuar nga korrupsioni dhe papunësia”.
Kryetari i Partisë Socialiste nënvizon në letrën drejtuar Presidentit Topi se “Pikërisht brutaliteti që ushqen kapja e shteti dhe frika e pushtetit prej vetëdijësimit të popullit për nivelin marramëndës të korrupsionit, ishin dy arsyet më të qenësishme pse në datën 21 janar demostrata paqësore e mbi njëqind mijë qytetarëve u provokua fatalisht, duke degraduar në dhunën që kulmoi me katër të vrarë e më shumë të plagosur prej pushkëve të Gardës Republikane”, bën me dije lideri Rama.
Ai argumentoi sakaq se “aktet sporadike të dhunës së ushtruar nga demostruesit e provokuar keqaz, janë tërësisht individuale dhe duhen hetuar dhe gjykuar, një për një, nga institucionet e pavarura në bazë të ligjeve të kësaj Republike”.
Por duke iu referuar vrasjes së katër demonstruesve Kryesocialisti Rama shkruan se “vrasjet me paramendim të Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Aleks Nikajt e Faik Myrtajt, si dhe plagosjet e plot të tjerëve, jashtë perimetrit të godinave qeveritare, madje në kushte ku qartazi prania e tyre nuk përbënte asnjë kërcënim për askënd e asgjë, janë vepër kriminale për ndëshkimin e së cilës nuk mjafton vetëm hetimi e gjykimi i institucioneve të pavarura për përgjegjësinë penale të çdokujt që ka tërhequr këmbëzën e pushkës”, duke nënkuptuar se duhet të vihen përballë përgjegjësisë ligjore ata që urdhëruan të qëllohej drejt turmës së paarmatosur.
mit/NOA