“Meqë e keni nisur ta amendoni Rregulloren, bëjini me shkrim të drejtat që i keni dhënë Saliut në këtë sallë. Shkruani që Sali Berishës ka të drejtë të shajë me nënë e me motër deputetët; Shkruani që Sali Berishës i lejohet të kërcënojë deputetët: do të të vras, ti nuk hyn më i gjallë në parlament apo ta bëj fytyrën si këpuca. Shkruani që Garda duhet të qëllojë mbi deputetët kur ata e kalojnë foltoren e Kuvendit, apo qëndrojnë aty më shumë se pesë minuta. Qëlloni edhe mbi ne”.
Nga Taulant Balla
Të dashur qytetarë shqiptarë. Sot Sali Berisha nuk po heq imunitetin, sepse imuniteti nuk hiqet me Rregullore. Sot Sali Berisha po blindon imunitetin e tij, të kusarëve dhe të matrapazëve përrreth tij.
Mjafton të shohësh se cilët janë njerëzit e regjimit që sundon sot mbi shqiptarët, për të kuptuar se ky entitet që drejton Sali Berisha nuk e ka vendin fare në Këshillin e Ministrave, por përpara drejtësisë, duke u përballur me ligjin për vrasjet, aferat, korrupsionin dhe skandalet që nuk kanë të sosur.
Këta e kanë vendin para drejtësisë, por sot Saliu synon të vërë tel me gjemba për drejtësinë, duke mbyllur në kasafortë imunitetet.
Sot nuk hiqen imunitetet, sot ato blindohen, për ta bërë regjimin e kusarisë të paprekshëm nga drejtësia. Asnjë prokuror nuk mund të marrë të pandehur një matrapaz qeveritar, me këtë kurth që Saliu synon të ngrehë sot.
Vetëm një diktator paranojak, shtypës dhe vrasës, blen makina të blinduara dhe blindon imunitetin përballë drejtësisë.
Sali Berisha synon të blindojë imunitetin e Ministrit të Punëve të përbrendshme të oborrit, Lulzimit, sepse ky është një njeri dy herë në kërkim: njëherë për një vjedhje përmasat e së cilës do të linin me gojëhapur kleptokratin më të madh në botë, së dyti për vrasje të protestuesve të pafajshëm.
Plot 230 milion euro u ka vjedhur Lulzim Basha shqiptarëve me një dorë, ndërsa 4 shqiptarë të pafajshëm u vranë po nga Lulzim Basha, sepse protestonin kundër hajdutërisë e kusarisë të regjimit ku ai bën pjesë. Sot Sali Berisha nuk po amendon Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, por po hedh në erë parlamentarizmin e Shqipërisë sonë.
Meqë e keni nisur ta amendoni Rregulloren, bëjini me shkrim të drejtat që i keni dhënë Saliut në këtë sallë. Shkruani që Sali Berishës ka të drejtë të shajë me nënë e me motër deputetët; Shkruani që Sali Berishës i lejohet të kërcënojë deputetët: do të të vras, ti nuk hyn më i gjallë në parlament apo ta bëj fytyrën si këpuca. Shkruani që Garda duhet të qëllojë mbi deputetët kur ata e kalojnë foltoren e Kuvendit, apo qëndrojnë aty më shumë se pesë minuta.
Qëlloni edhe mbi ne.
Nuk ka më shumë vlerë jeta jonë, sesa jeta e Aleksit, Hekuranit, Ziverit dhe Faikut. 18 ditë më parë, kur vala e protestave kundër diktaturave u shtri edhe në Iran, kamikazët e Ahmadinexhadit në Parlament, kërkuan nxjerrjen jashtë ligji të opozitës.
Ju synoni të nxirrni jashtë Parlamentit opozitën. Sali Berisha ti ke halle të mëdha.
Mbi ty rëndojnë plot 32 jetë të humbura, 32 vrasje shtetërore. Mbi ty rëndon vrasja e 26 shqiptarëve, fëmijë, gra e burra në Gërdec.
Mbi ty rëndon vrasja e kolegut tonë të ndjerë socialist Fatmir Xhindi dhe kryekomunarit të ndjerë Remzi Veseli. Mbi ty rëndon vrasja e katër bij nënash nga plumbat e Gardës tënde republikane më 21 Janar. Më 21 Janar ti dhe urdhër të qëllohet drejt mbi popull.
Më 21 Janar ti dhe urdhër të shtypet me dhunë pakënaqësia popullore dhe e drejta për të protestuar. Vetëm kapter Saliu dhe kolonel Kadafi mund të japin urdhra të tillë. Shqipëria nuk është Irani, as Tunizia, Egjipti apo Libia. Mubaraku dhe Ben Aliu; Gedafi dhe Saliu. Këta po që janë njëlloj. Vetëm ti dhe Gedafi, mund të përdorni mercenarë dhe gardë republikane kundër popullit.
Zbardhja e së vërtetës së 21 Janarit do të nxjerrë në dritë edhe mercenarët e një kompanie private që mbushën katin e dytë të Kryeministrisë, për të qetësuar paranojën tënde Sali.
Vetëm ti Sali nuk mund të flasësh për heqje imuniteti, sepse korrupsionin, kusarinë dhe hajdutërinë e ke në zemër të qeverisë dhe të familjes tënde politike dhe biologjike, Genci, Majlinda, Luli, Albana, Ridvani, Shkëlzeni dhe Argita.
Sali Berisha, videohajdutërinë e Likes me bllok në dorë, shqiptarët e panë dhe dëgjuan me sytë dhe veshët e tyre.
Ik, largohu, një orë e më parë se populli nuk të duron dot më. Ti Sali, je kapteri i fundit i varkës familjare të diktatorit Enver Hoxha: Historia e vjetër dhe e re e diktatorëve, është sot modeli dhe historia e fundit të Sali Berishës.
Ju nuk mund të trembni as popullin dhe as ne; as me dhunën e fjalëve, as me rregulloren e Pashukut dhe as me tytat e armëve pas të cilave jeni strukur.
Në ditët dhe në javët në vijim shqiptarët do të protestojnë, më të shumtë se kurrë, kundër teje Sali, kundër kusarëve të tu me bllok në dorë.
Hapi rrugë popullit Sali, mjaft vrave.
*Fjala në Kuvend e deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla.