English

Vetëvendosje flet për SMS e publikuara në media

Prishtinë, 24 Shkurt 2011 NOA - Votat e qytetarëve të Kosovës më 12 dhjetor, por edhe më 9 janar, ishin skajshmërisht të vjedhura dhe të manipuluara. Deputetët të cilët dolën nga këto vota të vjedhura, ata të PDK-së, të AKR-së dhe të pakicave kombëtare në Kosovë te të cilët dorën në zemër vjedhja e votës, përmes vendeve të rezervuara, është e mbrojtur me ligj edhe vetë dje iu nënshtruan një procesi të manipulimit të votave.

Këtë radhë, përmes kërcënimit dhe shantazhit, manipuloheshin votat e tyre.

Ky është qëndrimi i shprehur nga Lëvizja VETËVENDOSJE! e cila vlerëson kështu se në këtë drejtim Presidenti dhe Kryeministri i vendit janë rrjedhojë e një procesi të manipulimit të dyfishtë zgjedhor: ata i morën postet e tyre përmes vjedhjes së votave të qytetarëve dhe manipulimit të votave të deputetëve që dolën nga votat e vjedhura të qytetarëve.

“Të dy manipulimet ishin të ‘mbikëqyrura’ mirë nga faktorët ndërkombëtar. Madje ky i dyti kishte ‘mbikëqyrje’ aktive. Shtypi i sotëm i nxori në pah arsyet pse u zgjodh Pacolli president i vendit. Kjo arsye në këtë rast quhet Essad Puskar, një boshjako amerikan i cili kishte punuar një kohë në USAID në Kosovë dhe është aktualisht kryetar i “D’asse Equity Group”. Një lloj Damir Fazlliqi në Kosovë”, thotë Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Sipas saj, ndërhyrjet me SMS të këtij personi në procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit paraqesin një prej shpërfaqjeve më eksplicite të fytyrës së deligjitimuar dhe deinstitucionalizuar të postit të presidentit por edhe të qeverisë së koalicionit të arritur rishtazi. Për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, delegjitimi i tyre vjen nga një hierarki e momenteve delegjitimuese si reale ashtu edhe formale: programi politik i tyre që nuk reflekton as vullnetin e as interesat e popullit të Kosovës; votat e gjithmbarshme të qytetarëve i shndërrojnë këta në përfaqësues të pakicës (shtoja kësaj edhe marzhën e vjedhjes); procesi i mandatimit dhe zgjedhjes së tyre në Kuvend u bë i mundshëm vetëm me shkeljet e rënda ligjore e procedurale.

“Përveç që nuk reflektojnë vullnetin politik të popullit, këta nuk resspektuan as dokumentet bazë ligjore të cilat i kishin miratuar vetë. Deinstitucionalizimi u shkaktua nga ndërhyrjet e ndërkombëtarëve. Zgjedhja e presidentit të vendit është dashur të jetë një proces që ndodh në institucione dhe para syve të publikut. Ndërkohë që kjo e djeshmja ndodhi brenda godines institucionale por larg syve të publikut: përmes mesazheve telefonike që kërcënonin dhe planifikonin skenarë të pafund”, thekson Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Kurse më tej shtron pyetjen: “A ta quajmë këtë demokraci? Kjo mënyrë e pazarllëkut me poste publike nuk len kurrfarë hapësire për asnjë fije dyshimi se krerët institucional po na imponohen. Dhe ky imponim dje ishte thuajse publik”.

Në fund të qëndrimit, vjen dhe kërkesa nga Lëvizja VETËVENDOSJE!: “Ne kërkojmë nga ambasadori i ShBA-ve Christopher Dell të tregojë publikisht se çfarë ndodhi dje. Në SMS-at e botuar në gazeta shihej qartë se edhe ai ishte i përfshirë në këtë inxhiniering zgjedhor të presidentit. Dhe ia ka borxh qytetarëve të Kosovës të tregojë se çfarë e shtyu atë të marrë pjesë në këtë proces kaq jodemokratik dhe jopolitik që ia zgjat jetën kryeministrore Thaçit dhe ia nis atë presidenciale Pacollit”.

e.t/NOA

KOMENTE