Tiranë, 24 shkurt 2011, NOA – Ndërkohë që në seancën e sotme të kuvendit po diskutohen ndryshimet e propozuara nga Partia Demokratike për rregulloren e Kuvendit për kufizimin e imunitetit, Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj e ka akuzuar mazhorancën se me miratimin e këtyre ndryshimeve po kërkon të godasë pikërisht parlamentarizmin dhe opozitarizmin në Shqipëri. Deputeti Xhafaj akuzoi direkt Kryeministrin Berisha nga foltorja e kuvendit, duke thënë se me nismën e propozuar për të kufizuar imunitetin e deputetëve, po dëshmon një hipokrizi.
“ Sot, me votën tuaj po i hiqni tullën e fundit të legjitimitetit, kësaj salle. Kjo është një ditë e zezë për parlamentarizmin dhe demokracinë. Ky turpi juaj!”, tha deputeti socialist.
Ai i rikujtoi Kryeministrit edhe nismën e ndërmarrë në vitin 2006, e cila u cilësua antikushtetuese, e pazbatueshme dhe e rrezikshme nga misionet ndërkombëtare që asistojnë drejtësinë në vend, OPDAT-i dhe EURALIUS-i.
Xhafaj duke folur nga pozita e juristit, theksoi se “për këdo që njeh kushtetutën si ligj suprem dhe jo rregulloret që shpik Saliu dhe salinjtë e tij qesharak, nuk ka asnjë dyshim: është nismë antikushtetuese”.
“Ligjërisht, nisma juaj është nonsens juridik. Moralisht është veçse një hipokrizi politike. Ajo as nuk zgjidh problemin, as nuk është një mjet në luftë kundër korrupsionit, as nuk korrigjon kulturën e pandëshkueshmërisë së tij në nivele të larta”, nënvizoi deputeti Fatmir Xhafaj.
Sipas Xhafaj ky vendim nuk shtrihet të ministrat pa mandat deputeti, gjyqtarët dhe cilido funksionar tjetër që gëzon këtë mbrojtje ligjore.
Deputeti socialist solli një varg argumentesh për të theksuar se nisma e propozuar është tërësisht antikushtetuese dhe se pengon prokurorinë që të ndjekë penalisht një ministër-deputet që ka deklaruar heqjen dorë nga mandati, pasi kushtetuta nuk lejon procedurë tjetër për ndjekjen penale të deputetit pa marrë më parë autorizim nga Kuvendi dhe përmes një votimi të fshehtë.
“Ju po kërkoni të hiqni litarin e korrupsionit që e keni në fyt, që po ju merr juve dhe vetë qytetarit frymën dhe po kërkoni t´ja faturoni e shtrëngoni drejtësisë këtë litar”, tha deputeti socialist, duke nënvizuar se me “Ju që kërkoni një gjë të tillë, veshët me imunitet politik, ekzekutuesit vrasës të katër qytetarëve shqiptarë të pafajshëm më 21 janar”.
Deputeti socialist akuzoi mazhorancën se “Ju nuk keni vullnet real të luftoni korrupsionin sepse kësaj i thonë të luftoni Kryeministrin e qeverinë tuaj të korruptuar. Ka vetëm një rrugë të drejtë e të ndershme për të kufizuar imunitetet e të gjithë funksionarëve të lartë që e gëzojnë këtë privilegj”.
Xhafaj tha se “përmes një amendimi kushtetues që përfundimisht do të kufizonte jo gjasme, por realisht dhe në mënyrë të pakthyeshme për deputetin, për gjyqtarin po se po, por para së gjithash për qeveritarët dhe të gjithë ata që lëvizin milionat në duart e tyre të veshura me dorashka profesionisti imunitare dhe të legalizuara me vendime kolegjiale”.
Deputeti socialist theksoi se me këtë propozim për ndryshimin e rregullores “Ju po kërkoni të zhbëni opozitën. Ju po kërkoni të përjashtoni deputetët e opozitës nga e drejta e protestës, sepse kërkoni ta vrisni popullin protestues për lirinë e votës, për lirinë e fjalës, për lirinë e jetës, për lirinë e shpresës”, përfundoi fjalën e tij deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj.
mit/NOA