Tiranë, 25 shkurt 2011, NOA – Pas shpalljes në 28 janar të konkursit të hapur ndërkombëtar për Projektimin e Xhamisë dhe Muzeut të Tiranës e Bashkëjetesës Fetare, Bashkia e Tiranës informon se në 25 dhe 26 shkurt do të mblidhet Komisioni i Shortlistimit, për të shqyrtuar 100 kërkesat për pjesëmarrje në këtë konkurs, që do të sjellë edhe projekt-idetë për Xhaminë e re të kryeqytetit. Arkitektja në Bashkinë e Tiranës, Adelina Greca bën me dije se ky komision do të përfundojë punën e tij, me përzgjedhjen e pesë studiove që do të vlerësohen si më të përshtatshmet, për të vazhduar garën në Fazën II, për projekt-idenë e Xhamisë së Re dhe Muzeut të Tiranës e Bashkëjetesës Fetare.
Sipas Grecës ky konkurs ka për qëllim të dhurojë një projekt bashkëkohor që i përgjigjet kërkesave të Komunitetit Myslyman dhe qytetit të Tiranës.
Arkitektja Greca nënvizoi se komisioni përzgjedhës përbëhet nga nëntë anëtarë dhe ka në përbërjen e tij arkitektë ndërkombëtarë dhe vendas, përfaqësues të Bashkisë, përfaqësues të Komunitetit Mysliman dhe përfaqësues të shoqërise civile.
Rezultatet e punës së Komisionit të Short-listimit, pra lista me pesë konkurentët që do të garojnë në Fazën II do të shpallet nesër, më datë 26 shkurt.
Sikundër njofton BT-ja konkursi u organizua në dy etapa.
Faza e parë e tij ishte një “Thirrje për Pjesëmarrje”, drejtuar të gjithë arkitektëve vendas dhe ndërkombëtarë, ndërsa Faza e dytë është “Etapa e Projektimit”, drejtuar 5 studiove të përzgjedhura në fund të Fazës së parë.
Faza e parë e Konkursit ku morën pjesë studio të ndryshme nga e gjithë bota u mbyll në 21 shkurt.
Në mbyllje të Fazës së parë kanë aplikuar plot 100 studio, nga 28 vende të ndryshme të botës, si Britania e Madhe, Portugalia, Spanja, Franca, Italia, Belgjika, Hollanda, Gjermania, Danimarka, Republika Çeke, Rusia, Lituania, Ukraina, Austria, Sllovenia, Kroacia, Bosnja & Herzegovina, Kosova, Rumania, Bullgaria, Greqia, Turqia, Qipro, Japonia, Australia, Egjipti, Jordania dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikës.
mit/NOA