Tiranë, 25 shkurt, NOA – Takimi i kryeministrit Sali Berisha me Zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit James B. Steinberg është fokusuar në ngjarjen e datës 21 janar dhe në zhvillimin e zgjedhjeve të 8 majit.
Në njoftimin e dhënë sot nga Zyra e Shtypit e Kryeministrisë theksohet se Stainberg ka vlerësuar ofertën e mazhorancës për forcimin e rolit të vëzhguesve të huaj në vend.
“Pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen miqësore, zoti Steinberg e risiguroi kreun e qeverisë shqiptare se SHBA dhe qeveria amerikane do të vijojnë të mbështesin Shqipërinë në ecjen e saj përpara. Duke nënvizuar rëndësinë e vijimit me reformat në vend, në veçanti përgatitjen për zgjedhjet e 8 majit, zoti Steinberg vlerësoi ofertën e bërë nga Kryeministri për forcimin e rolit të vëzhguesve të huaj në procesin zgjedhor”, njofton Kryeministria për takimin e zhvilluar sot.
Kryeministri Berisha, duke folur për zhvillimet e fundit në vendim ndau të njëjtin qëndrimin me Stainberg “se respektimi i Kushtetutës, institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës është dhe mbetet garanci themelore për mbarëvajtjen e demokracisë, në interesin më të mirë të vendit dhe kombit shqiptar”.
Në njoftimin e Kryeministrisë theksohet se “të dy bashkëbiseduesit ishin të të njëjtit mendim për rëndësinë themelore që ka hetimi dhe gjykimi i plotë, i paanshëm dhe gjithëpërfshirës nga institucionet e vendit për 21 Janarin. Kryeministri theksoi se Shqipëria është një shtet demokratik ku çdo problem mund të zgjidhet në kuadër të Kushtetutës dhe shtetit ligjor”.
Kreu i qeverisë ka theksuar dhe rëndësinë që kanë zgjedhjet vendore dhe masat që po merren për zhvillimin normal të tyre.
“Duke e falënderuar Zëvendëssekretarin Steinberg për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që SHBA po i ofrojnë Shqipërisë për të garantuar transparencën e zgjedhjeve lokale te 8 majit 2011, Kryeministri Berisha risiguroi zoti Steinberg se qeveria është dhe mbetet tërësisht e hapur dhe e gatshme për t’i ofruar vëzhguesve ndërkombëtarë çdo të drejtë dhe hapësirë ligjore për të garantuar një proces zgjedhor tërësisht transparent dhe që plotëson standardet me të larta ndërkombëtare për zgjedhje demokratike”, njofton Kyrministria në lidhje me bisedën e zhvilluar.
Në takim, Kryeministri u shpreh se fokusi i qeverisë është vijimi me axhendën e reformave të gjithanshme për zhvillimin e modernizimin e mëtejshëm dhe për integrimin e vendit në BE. Në fund të takimit, Kryeministri Berisha i ripërsëriti Zëvendëssekretarit të Shtetit Steinberg ftesën për një vizitë të Sekretares së Shtetit Hilary Clinton në Shqipëri.
a.k/NOA