Tiranë, 25 shkurt 2011, NOA - 25 oficerë të policisë që përfunduan “Kursin bazë të hetimit” dhe 16 të tjerë që përfunduan kursin e trajnimit për “Instruktor ndërkombëtar” u çertifikuan sot nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Oficerë nga ky grup do të përzgjidhen për trajnimin e forcave policore në vendet ku NATO shërben në kuadër të misionit të saj, duke filluar në Afganistan. Ministri Basha tha gjatë ceremonisë së çertifikimit të oficerëve të Policisë së Shtetit se këto trajnime të realizuara me ekspertizën më të mirë dhe mbështetjen më solide të organizatave tona partnere PAMECA dhe ICITAP për Policinë e Shtetit dhe Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm kanë konsoliduar edhe më tej traditën e përftimit të njohurive më bashkëkohore dhe praktikave më të mira në fushën e hetimit. Sipas tij këto trajnime janë kthyer në një ambjent ndërveprues midis agjencive kryesore të zbatimit të ligjit në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij Basha tha se trajnimi i 16 oficerëve si trajnues ndërkombëtarë
është një hap domethënës dhe historik për Policinë e Shtetit.
“Për 20 vite me radhë Policia e Shtetit ka qenë përfituese e dhjetëra qindra trajnimeve nga partnerët tanë euroatlantikë. Kjo ndihmë si dhe asistenca materiale është një nga themelet e konsolidimit të organizatës së Policisë së Shtetit dhe të sukseseve të përditshme që ajo korr sot në çdo fushë dhe veprimtari të saj. Është një nga kyçet e arritjes në shumë fusha, standartit dhe praktikës më të mirë të Bashkimit Europian dhe afrimit në shumë fusha të tjera drejt arritjes së këtij standardi”- nënvizoi ministri Basha.
Ai tha se nëpërmjet aftësimit të një numri jo të vogël oficerësh të Policisë së Shtetit me grada dhe funksione të ndryshme për përdorimin e mjeteve didaktike, për metodat e mësimdhënies dhe metodat e aftësimit në grup në gjuhën angleze, shënohet një kapitull i ri në Policinë e Shtetit.
Sipas tij për herë të parë Policia e Shtetit do të jetë jo vetëm implementuese e standarteve dhe praktikave më të mira bashkëkohore, euroatlantike, por edhe përçuese e këtyre praktikave në organizatat policore të vendeve të ndryshme duke filluar në Afganistan.
Basha shprehu mirënjohjen për kontributin e dhënë nga ICITAP, PAMECA dhe OSBE.
mit/NOA