Prishtinë, 25 shkurt 2011, NOA – Dy ditë pas zgjedhjes në postin e Presidentit të Kosovës të Behxhet Pacollit, i cili u zgjodh vetëm në raundin e tretë të votimit në Kuvendin e Kosovës me vetëm 62 vota dhe pa votën e opozitës, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë Christopher Dell ka deklaruar se “Unë nuk kam pasur asnjë rol në zgjedhjen e presidentit të Kosovës”. Ambasadori amerikan, Christopher Dell, në një intervistë për Radion "Evropa e Lirë" duke iu përgjigjur deklaratave të bëra nga forcat politike për mbështetjen e dhënë prej tij në zgjedhjen e Pacollit President theksoi se “këto procese bëhen nga politikanët, respektivisht liderët e këtij vendi, në pajtim me rregullat dhe Kushtetutën në Parlament”.
Sipas Dell, jashtë këtyre rregullave ai mohon të ketë patur një rol në zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës.
Ambasadori Dell rrëfen pa përmendur emra, se përgjegjësi për zgjedhjen e Pacollit, ndodhet në burg në Hagë, që nënkupton se përgjegjësi është lideri i AAK-së, ish-Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.
“Mendoj se personi që mbase është më përgjegjësi pse Behxhet Pacolli është president sot, është duke ndenjur në qelinë e burgut në Hagë. Fakti që AAK-ja për arsye të veta zgjodhi të mos i bashkohet koalicionit qeverisës, e bëri pothuajse të pashmangshme që president u bë Behxhet Pacolli”, tha Ambasadori amerikan në Kosovë.
Duke treguar më tej lidhur me thirrjet telefonike të tij në ditën e zgjedhjes së Presidentit Pacolli, ambasadori Dell shpjegon se “nuk e di për çfarë mund të ketë qenë thirrja telefonike, ndërsa sa për tekstet e sms-ve, ato janë tekste midis dy individëve të tjerë, të cilët natyrisht janë të lirë të shkruajnë, komentojnë dhe të thonë ç`të duan, pavarësisht nëse ato e pasqyrojnë realitetin”.
“Unë kam qenë dëshmitar i këtij procesi, kam ndenjur ulur në galerinë e Kuvendit nga ora 2:30 e pasdites derisa ka përfunduar e gjitha, në orën 8 të mbrëmjes, duke e lëshuar sallën gjatë kësaj kohe vetëm një herë, thënë të vërtetën, për të shfrytëzuar tualetin”, rrëfeu shkoqur Ambasadori amerikan në Kosovë Christopher Dell për “Evropa e Lirë”.
mit/NOA