English

ISKSH: Monitorim për çmimet e çdo shërbimi

Tiranë, 25 shkurt, NOA – Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor dhe Fondacioni gjerman “Konrad Adenauer”, zhvilluan sot një konferencë që kishte si synim diskutimin për drejtimin e financimit të shërbimeve shëndetësore.

Ky aktivitet vjen pasi parlamenti miratoi mbrëmë ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore. Drejtuesja e ISKSH Elvana Hana tha se ky “ligji i ri krijon një tregu real shëndetësor të bazuar në konkurencë, cilësi dhe kosto-efektivitet”.

Në konferencë merrnin pjesë zv/ambasadori gjerman në Tiranë, zv.ministrat e Shëndetësisë dhe Financave, përfaqësues të sistemit shëndetësor etj.

“Kjo konferencë vjen pak orë pas miratimit përfundimtar të ligjit për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor në parlament, cka i hap udhë ndryshimit të sistemit të financimit të shëndetësisë në venin tonë”, u shpreh në konferencë drejtoresha e përgjithshme e ISKSH-së, Elvana Hana.

Reforma në shërbimin parësor e nisur në 2007 krijoi bazat për shtrirjen e mëtejshme të skemës së sigurimeve.

Falë kësaj reforme, do të njihnin një rritje në sasi e cilësi dhe konkretisht në një periudhe trevjeçare, në fund të vitit 2009, ofruesit e shërbimit parësor:

Do të dyfishonin numrin e vizitave në këtë shërbim nga 2.4 milion në 2006 në 4.9 milion vizita në 2009, dhe në 2010 ky numër arrin në rreth 5.3 Milion

Kontaktet për herë të parë (PVHP) me banoret në zonat e mbulimit do të rriteshin nga 10% që ishte në 2006, në 38% në fund të vitit 2010;

Treguesit e indikatoreve të cilësisë që për here të pare në historinë e sistemit të shëndetësisë u vendosën në vitin 2007, kapën shifra të kënaqshme dhe në vitin 2009 ato u realizuan në masën 69%;

Numri i recetave të rimbursueshme për popullatën e përfshire në skemë nga 2.4 milion në vitin 2006 arriti në 3.25 milionë në vitin 2010.

“Bazuar në vullnetin e Qeverisë Shqiptare për thellimin e reformave, në rritjen e treguesve në përmirësimin e aksesit dhe cilësisë së shërbimeve dhe nga të gjitha rezultatet e arritura në Parësor, në vitin 2009 skema sociale e sigurimit do të merrte një formë tjetër duke e plotësuar dimensionin e saj në financimin e shërbimeve shëndetësore dytësore dhe tretësore në Shqipëri”, tha drejtoresha e ISKSH-se, Elvana Hana.

Ligji i ri, nga njëra anë i garanton këto paramentra dhe nga ana tjetër ai lejon marrëdhëniet e ISKSH, tashmë të emërtuar Fond, me Institucionet e tjera të përcaktuara në ligj në lidhje me grumbullimin dhe mbledhjen e kontributeve duke krijuar stabilitet financiar të skemës.

Hana sqaroi se megjithëse ligji i ri nuk parashikon rritje të masës së kontributeve shëndetsore, ai sjell ndryshime në bazën e llogaritjes së tyre për kategoritë e personave ekonomikisht jo-aktive, për të vetëpunësuari si edhe për sigurimin vullnetar duke reflektuar në ketë mënyre transparence dhe stabilitet financiar në financimin e shërbimeve nga ana e Fondit.

Ky përcaktim i ri krijon hapësira më të mëdha për Fondin në financimin e të gjithë llojeve të shërbimeve dhe në të njëjtën kohë mundëson ndërtimin e raporteve më korrekte me ofruesit e shërbimeve për plotësimin e nevojave të tyre, si edhe për ofrimin e shërbimeve tashmë edhe mbi kritere më të qarta profesionale.

Drejtoresha e ISKSH-se, u ndal ne faktin se, ligji i ri krijon të gjitha hapësirat që Fondi të ketë rol aktiv dhe më fleksibel në hartimin dhe financimin e paketave shëndetësore të ofruara popullatës të cilat bazohen në kritere mjaft të qarta mjekësore, ekonomike dhe sociale.

Ndërmjet te tjerave, Fondit në këtë mënyre i jepet fleksibilitet dhe në hartimin e listës së barnave te rimbursueshme e cila është një çështje sa ekonomike për vete skemën, po aq dhe sociale për përfituesit.

Kjo e obligon skemën që, duke hulumtuar dhe nga vendet me skema te ngjashme me ne, të bëjë te mundur që çmimet e barnave në listat që do të hartohen, të jenë të krahasueshme me vendet e rajonit.

Hana u shpreh se “bazuar në domosdoshmërinë e përmirësimit të eksesit të klientëve, ne kosto-efektivitetin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, organet drejtuese të Fondit sipas ligjit të ri miratojnë proçedurat dhe kriteret për lidhjen e kontratave dhe të financimeve si për ofruesit publik ashtu edhe për ata privat të shërbimeve shëndetësore në Shqipëri”.

Sipas saj, në ketë mënyre implementimi i këtij ligji do të bëjë të mundur krijimin e një tregu real shëndetësor të bazuar me shume në konkurence, në cilësi dhe kosto-efektivitet.

Para procesit të kontraktimit, do të ketë një proces të rreptë monitorimi për çmimet e shërbimeve që do të blihen nga Fondi, si përsa i përket barnave, ashtu edhe paketave në tërësi.

Në takim u evidentua se reformimi i vazhdueshëm i sektorit të shëndetësisë ka provuar së është një çështje sa e domosdoshme aq edhe delikate, jo vetëm në Shqipëri por edhe në ato vende fqinje me ne, në Europë e më gjerë.

“Sot në Shqipëri ekziston vullneti politik për të reformuar thellësisht sistemin shendetësor dhe për ta venë atë në funksion të nevojave të popullatës së gjere. Kjo na bën ne që luajmë rolin e menaxhuesit të kësaj skemë të përgatitemi sa më mire profesionalisht dhe të jemi të vendosur në implementimin e këtij projekt-ligji në funksion të përmiresimit të aksesit dhe cilësisë së shërbimeve shëndetësore të popullatës e cila na ka besuar ketë rol”, tha Hana.

a.k/NOA

KOMENTE