Tiranë, 25 shkurt 2011, NOA – Ndërkohë që kryeqyteti shqiptar ka marrë një tjetër pamje prej ndërtimeve të panumërta të kryera gjatë këtyre viteve të tranzicionit duke humbur edhe kujtesën e tij historike e muzeale e duke u shndërruar në një metropol për ata që dynden drejt kryeqytetit, ndërtimet e reja në Tiranë do t’i nënshtrohen oponencës së Institutit të Ndërtimit që do t‘i shërbejë rritjes së standardeve të ndërtimit dhe cilësisë së tij, një aspekt kyç për standardin e ndërtimeve dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Kjo gjë do të bëhet e mundur tashmë përmes një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik dhe Institutit të Ndërtimit, marrëveshje që synon rritjen dhe përmirësimin e cilësisë në fushën e ndërtimit.
Kjo marrëveshje bashkëpunimi parashikon kontrollimin dhe disiplinimin e cilësisë së produkteve të ndërtimit në një plan më afër standardeve europiane.
Duke qenë se cilësia e ndërtimit ka një rëndësi themelore në sigurinë dhe cilësinë e jetës së çdo qytetari, ishte Ministria Punëve Publike dhe Transportit që në bazë të vendimit Nr 1055, datë 22.12.2010, vendosi që Instituti i Ndërtimit të bëjë oponencën e çdo projekti ndërtimi me vlerë mbi 100 milion lekë, si dhe kalimin e Policisë Ndërtimore në Inspektoriatin Ndërtimor për të mundësuar një kontroll profesional në fushën e ndërtimit. Insitucionet e lartpërmendura do të ushtrojnë një kontroll profesional të të gjitha hallkave të realizimit të një vepre ndërtimi, që nga projekti deri në përfundim të saj.
Instituti i ndërtimit në bazë të kësaj marrëveshje i ofron ndihmën e tij teknike Inspektoriatit të Ndërtimit duke kryer testet laboratorike të akredituara, interpretimin e testeve të produkteve të ndërtimit si dhe asistencën për ngritjen e kontrollit në fabrikë.
Në këtë mënyrë Inspektoriati i Ndërtimit përveç objektit të tij të punës, kontrollit dhe prishjes së ndërtimeve pa leje, do të kryejë edhe inspektime profesionale inxhinierike të cilësisë së produkteve të ndërtimit.
mit/NOA