Prishtinë, 25 shkurt 2011, NOA- Dy zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit në një takim të mbajtur katër ditë para se Behxhet Pacolli të merrte mandatin e Presidentit, i kanë bërë me dije atij se duhet të publikojë pasurinë, ashtu siç do e publikojnë gjithë zyrtarët e tjerë të Kosovës.
“Më datën 18.02.2011, dy zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit kanë pasur një takim me z. Pacolli dhe ia kanë bërë të qartë procesin e deklarimit të pasurisë për vitin 2011 dhe publikimin e pasurisë për të gjithë zyrtarët e lartë publikë”, ka deklaruar për shefi i Divizionit për Mbikëqyrjen e Pasurisë dhe Dhuratave në AKK, Agron Behrami.
Behrami ka deklaruar se pasuria e Presidentit Pacolli, nuk ishte publikuar në të kaluarën, sepse vetë Pacolli e kishte kërkuar një gjë të tillë.
Mosdeklarimi i pasurisë nga ana e tij është argumentuar në formë të tillë: “Publikimi i këtij raporti do të rrezikonte sigurinë time dhe të familjes dhe njëkohësisht do të binte në kundërshtim po ashtu edhe me ligjet që e rregullojnë funksionimin e kompanive me aksione anonime në Zvicër, ku ende jam pjesë e tyre në formë të aksionarit kryesor, edhe pse jam tërhequr nga udhëheqjet e tyre”.
Deklarimi i pasurisë për zyrtarët publikë do të fillojë më datën 1 mars të këtij viti dhe pritet të përfundojë me datën 31 të të njëjtit muaj, ndërsa për zyrtarët e rinj që për herë të parë e kanë detyrim që të deklarojnë pasurinë, ky afat do të jetë 60 ditë.
a.y/NOA