Tiranë, 25 shkurt, NOA - Gazetat shqiptare ditën e sotme fokusin e tyre e kanë përqendruar në deklaratat e përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe përfaqësuesit të SHBA, Tomas Kantriman dhe deklaratat e tyre për dialog politik. Një vëmendje tjetër i është kushtuar edhe seancës së ditës së djeshme parlamentare për ndryshimin e rregullores së Kuvendit dhe replikave të ndodhura gjatë saj.
Sërish një vend të rëndësishëm zë përgatitja e zgjedhjeve si dhe shtyrja e afatit nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor të afatit për Partinë Socialiste dhe PBDNJ për dorëzimin e komisionerëve të KZAZ-ve.
E përditshmja “Panorama” i nis lajmet me argument të saj kryesor, “Zgjedhjet lokale: KQZ tërhiqet, i jep tjetër afat PS për komisionarët, ku detajohet vendimi dhe deklarata e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani për një afat të dytë.
Një tjetër titull i kësaj të përditshme është: “Replikat në parlament/ Ruçi: Berisha si Mubaraku. Kryeministri: Ruçi është vrasës”, përmes këtij titulli jepen replikat e ndodhura në seancën e ditës së djeshme dhe akuzat mes përfaqësuesve të PS-së dhe PD-së.
E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “ Berisha i trembet një atentati me shpërthim, masa të jashtëzakonshme ndaj të kreut të ekzekutivit, në kryeministri”, më tej sqarohen masat e marra nga kreu i qeverisë lidhur me sigurinë ndaj tij dhe godinës së Kryeministrisë, duke nisur nga xhamat e blinduar e deri te qentë antieksploziv.
E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “ Kantriman: PS ti largohet rrugës angazhim për zgjedhjet. Në 8 maj qytetarët të shprehin vullnetin me anë të votës”.
Përmes këtij titulli përvijohet dhe detajohet qëndrimi i Zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Tomas Kantriman dhe qëndrimi i tij lidhur me situatën në vend.
Një tjetër titull i kësaj gazete është: “KQZ: Një shans tjetër opozitës për komisionerët zgjedhor”, ku jepet vendimi i KQZ-së për shtyrjen e afatit për dorëzimin e komisionerëve nga ana e PS-së dhe PBDNJ-së.
“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “21 janari, opozitari Veizi u vra nga Garda e Republikës, zbardhet vendimi i gjykatës”, në këtë titull jepet qëndrimi i gjykatës, lidhur me njërin prej katër të vrarëve gjatë demonstratës së 21 janarit, ku si përgjegjëse nxirret Garda e Republikës.
Një tjetër argument i kësaj të përditshme jepet përmes titullit: “Kaos nga listat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në listat online”, ku sqarohet se në këto lista mungojnë një pjesë e emrave të politikanëve dhe deputetëve, madje edhe emri i vetë nënkryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi.
E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “SHBA: Misioni i fundit për krizën. Shqipëria është e ndarë palët të nisin dialogun”, ku jepet deklarata e Miroslav Lajçak përfaqësuesi i Bashkimit Europian.
Më tej kjo e përditshme vijon me titullin, “Kantriman bisedime me Ramën, Haxhinaston dhe Bashën”, duke ju referuar vizitës së dytë të Tomas Kantriman në Shqipëri.
Një tjetër argument është edhe, “Edi Rama: Në kushtet e sotme zgjedhjet nuk mund të bëhen”, dhe vijohet më tej me detajet e letrës së kreut të opozitës dërguar Presidentit të Republikës Bamir Topi.
Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Premte, 25 shkurt 2011. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.
NOA