Libi, 25 shkurt, NOA –Pjesëtarët e ushtrisë dhe policisë libiane në qytetin e Axhabijas i janë bashkuar protestuesve, raportojnë mediat.
"Ne pjesëtarët e policisë deklarojmë se do t'i bashkohemi popullit në revolucionin paqësor të 17 shkurtit", deklaroi një zyrtar i policisë për televizionet në gjuhën arabe.
Ndërkohë që situata në këtë vend nuk është e qetë. Komisionerja e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Navi Pillai tha se dhuna kundër protestuesve në Libi po rritet në mënyrë alarmuese.
Pillai tha në takimin e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë se ka informacione se mijëra civilë janë vrarë e plagosur nga dhuna e regjimit të Gadafit kundër protestuesve.
Kjo është hera e parë që Këshilli mban takim të posaçëm për një nga 47 vendet anëtare.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Libia të përjashtohet nga Këshilli. Gjatë ditës edhe Këshilli i Sigurimit do të shqyrtojë mundësinë e sanksioneve ndaj Libisë.
Pasditen e sotme përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s do të mbajnë një takim të veçantë për gjendjen në Libi. Sipas Anders Fogh Rasmusenit, kreut të Aleancës, evakuimi dhe ndihma humanitare do të jenë fushat e përparësisë.
NOA./RFE