English

Policia greke vret një të ri shqiptar

Nën dyshimet se po kryente së bashku me katër të tjerë, grabitjen e bankës Agrotiki dhe një zyre postare

Athinë, 25 Shkurt 2011 NOA – Ekzekutohet nga policia greke një i ri shqiptar, nën dyshimet se së bashku me katër të tjerë, organizuan dhe kryen tentativën për të grabitur një bankë private.

Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme pranë degës së bankës Agrotiki, në Molo Ftiotidas që gjendet në rrugën shtetërore Athinë-Lamia, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Policia tha se pesë persona, që të gjithë shtetas shqiptarë në moshën 25-30 vjeçarë, kishin planifikuar dhe po vinin në jetë grabitjen e njëkohshme të Agrotiki Trapeza dhe Zyrës Postare (Eliniko Tahidromio) që gjenden pranë njëra tjetrës në kilometrin e 87-të të rrugës shtetërore që lidh Athinën me Lamian.

Makina e pesë të dyshuarve u lokalizua në Tragana, pak më tutje se vendi ku ndodhën grabitjet dhe u rrethua nga forca të shumta policore që erdhën nga stacioni policor i forcave speciale në Malaisina.

Ndjekja vazhdoi disa minuta derisa te kilometri 103, në vendin e quajtur Akraifnio, sipas policisë, nga makina me shqiptarë u hap zjarr me armë automatike në drejtim të forcave blu.

“Në shkëmbim zjarri me keqbërësit e dyshuar, u plagos rëndë dhe gjeti vdekjen pak më vonë duke shkuar për në spitalin e Thivës, një 26 vjeçar që rezultoi të ishte një prej pesë të dyshuarve kurse katër të tjerët u arrestuan në kushtet e flagrancës pa rezistencë të mëtejshme”, thanë zyrtarët e policisë së Athinës. Ata shtuan se po ashtu është plagosur dhe një i dytë, gjithashtu 26 vjeçar, i cili pasi u mjekua në spital, iu bashkua tre të tjerëve që u dërguan në qelitë e paraburgimit.

Të dyshuarve në makinë iu gjetën dy armë të llojit Kallashnikov, një pistoletë, si dhe makina, një Honda Civic që rezultoi të ishte vjedhur më herët.

Nga hetimet doli se pesë personat kishin grabitur, pak minuta para se të bienin në duart e policisë, bankën Agrotiki dhe zyrën postare, ku tre persona me maska hynë në filialet dhe rrëmbyen përkatësisht tek e para 18 mijë euro dhe tek posta, 2 mijë euro të tjera.

n.s/e.t/NOA

KOMENTE