Tiranë, 25 shkurt 2011, NOA/ Irma Toptani - Anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste Lindita Nikolla e ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha se po sillet në mënyrë të padenjë me gratë shqiptare. Nikolla i cilësoi si demagogji premtimet e Kryeministrit për dënimin maksimal të atyre që dhunojnë gratë, në raport me sjelljen e tij fyese ndaj tyre.
“Sali Berisha qesh kur flet për të vrarë, a thua se nuk bëhet fjalë për shqiptarë si ne e si ai, për prindër e familjarë. Por, janë tashmë edhe katër nëna shqiptare, motrat e gratë e fëmijët e katër shqiptarëve të pafajshëm, të cilat në 21 janar Saliu i veshi me të zezën e mortit dhe tani po i vret së dyti duke u tallur e duke u zgërdhirë me jetët që mori me pushkët e Gardës Republikane”, deklaroi zonja Nikolla.
Anëtarja e Kryesisë së PS-së theksoi se “Saliu flet për dhunën në familje e bën be e rrufe se do të ndëshkojë rëndë ata që guxojnë të vënë dorë mbi gratë, por, a ka njeri në këtë vend që i dhunon më shumë gratë sesa vetë Sali Berisha, që s’lë gjë pa thënë për nënat e gratë e kujtdo. Dhe nuk i thotë këto në rrugë, por në Parlament, në mbledhje qeverie, në mitingje. Ky është respekti yt për gratë Sali, që t’i shash e marrësh ato nëpër gojë sa herë që s’di më ç’të thuash?”, tha Lindita Nikolla.
Ajo i bëri me dije Kryeministrit se nuk ndryshon askund nga rrugaçi i rëndomtë apo bashkëshorti kriminel, që kryeministri Berisha premton t’i ndëshkojë me ligjet më të rrepta.
“Zija e vaji i nënave, motrave, grave e vajzave të Faikut, Ziverit, Aleksit e Hekuranit u shtohet tashmë dhimbjes së hidhur të grave të Gërdecit, që Saliu jo vetëm u vrau familjen e u shkatërroi katandinë, por i vrau së dyti duke iu mohuar drejtësinë për të mbrojtur Shkëlzenin e Mediun. Kjo zi i shtohet vajit e mortit të nënës së Fatmir Xhindit e Remzi Veselit”, rikujtoi Anëtarja e Kryesisë së Partisë Socialiste.
mit/NOA