Tiranë, 25 shkurt 2011, NOA – Selia rozë ka zbardhur për mediat takimin e sotëm mes Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe Zëvendës/Sekretarit amerikan të Shtetit James B. Steinberg, i cili vizitoi sot Tiranën në kuadër të një turi katërditor në Ballkan. Sikundër bën me dije selia rozë në krye të takimit lideri i opozitës i shprehu mirënjohjen zyrtarit të lartë amerikan për vizitën e tij në Shqipëri, pikërisht në një moment që përkon me një periudhë trazirash dhe protestash popullore, të cilat kërkojnë vëmendjen dhe angazhimin e qeverisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Më tej shefi i selisë rozë e siguroi zotin Steinberg për angazhimin e palëkundur të Partisë Socialiste dhe opozitës shqiptare për të qënë në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mbrojtje të parimeve dhe vlerave të demokracisë që Shtetet e Bashkuara mishërojnë e promovojnë, parime e vlera që inspirojnë edhe politikën e opozitës shqiptare.
Rama është ndalur në zhvillimet politike dhe ka ritheksuar se “kriza në Shqipëri i ka rrënjët tek zgjedhjet dhe korrupsioni”.
Ashtu si edhe më parë, kryetari i Partisë Socialiste edi Rama nënvizoi se “Bojkotinuk ka qënë kurrë opsioni ynë. Opozita dhe votuesit duan garanci për lirinë e ndershmërinë e zgjedhjeve vendore, ndërkohë që bindja jonë mbetet se zgjidhja e duhur e krizës fillon nga zgjedhje të reja”, i tha Zëvendës/Sekretarit amerikan të Shtetit James B. Steinberg, zoti Rama.
Shefi i opozitës garantoi se opozita nuk do të ndalet së kërkuari largimin e qeverisë përmes protestave që nuk do të ndalen.
Ndërkohë kreu i PS-së siguroi zyrtarin amerikan se opozita do të japë çdo kontribut për garantimin e zgjedhjeve vendore.
Sikundër bën me dije zyra e shtypit e selisë rozë, Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, James B. Steinberg nënvizoi se “transparenca është një kërkesë legjitime dhe domosdoshmëri për forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit”.
Steinberg theksoi gjithashtu edhe rëndësinë e forcimit të institucioneve të pavarura në Shqipëri.
Sipas Steinberg palët duhet të garantojnë ecurinë e procesit politik, ndërkohë sikundër ai ka ritheksuar mbështetjen e SHBA-ve.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pranë Shqipërisë për të vëzhguar nga afër këtë proces”, u shpreh zoti Steinberg.
Zëvendës/Sekretari amerikan i Shtetit James B. Steinberg dhe Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, shprehën domosdoshmërinë e hetimit të pavarur për zbardhjen e plotë të ngjarjeve që pasuan demonstratën e 21 Janarit, ku u vranë 4 demonstrues.
mit/NOA