Tiranë, 25 shkurt, NOA – Prokuroria duhet të mbetet larg sulmeve politike. Ky është mesazhi që ka dhënë Zëvendës Sekretarin Amerikan të Shtetit, James Stainberg gjatë takimit të zhvilluar sot me Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama.
Në një deklaratë për mediat të Prokurorisë theksohet se Staiberg ka garantuar për mbështetjen e SHBA-ve në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit.
“Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. James Stainberg, duke vlerësuar punën dhe performancën e Prokurorisë Shqiptare, siguroi kryeprokuroren Ina Rama për një mbështetje të plotë në hetimet e organit të akuzës. Z. Stainberg theksoi me këtë rast rëndësinë që Prokuroria, si një institucion i pavarur, të mbetet larg sulmeve dhe ndërhyrjeve politike, në mënyrë që të kryejë me paanësi detyrën e saj kushtetuese”, thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë së Përgjithshme. .
Nga ana e saj, Ina Rama ka garantuar hetimin e plotë të ngjarjes dhe distancimin nga çdo ndërhyrje politike.
“Prokurorja e Përgjithshme, Znj. Ina Rama, pasi falenderoi Zv. Sekretarin Stainberg për mbështetjen që SHBA i kanë dhënë organit të akuzës në përmbushjen e detyrave të saj në zbatim të ligjit dhe të Kushtetutës, theksoi se Prokuroria mbetet e angazhuar dhe e vendosur në punën e saj për zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit. Duke e konsideruar këtë hetim si mjaft sensistiv në opinionin publik, Prokuroria është shprehur gjithmonë për një hetim të plotë, të paanshëm, profesional dhe gjithëpërfshirës, duke mbetur larg çdo lloj ndërhyrjeje politike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në takimin mes Prokurores së Përgjithshme e Ina Rama me Zëvendës Sekretarin Amerikan të Shtetit, James Stainberg ishin të pranishëm dhe Zëvendësndihmës Sekretarin për Evropën dhe për Azinë, Tomas Countryman dhe Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu.
a.k.NOA