English

Stainberg: Përgatitje për zgjedhjet e 8 majit

Tiranë, 25 shkurt, NOA (E plotë)– Vizita e Zëvendëssekretarin Amerikan të Shtetit, Xhejms B. Stainberg, është e nivelit më ta lartë të ndërkombëtarëve për zgjidhjen e situatës politike në vend.

Nga njoftimi i publikuar nga Presidenca kuptohet se katër janë pikat e diskutuara në takim, respektimi i institucioneve të pavarura, vendosja e dialogut politik mbështetja e SHBA për Topi, si kreu i shtetit që ka rol unifikues në vend dhe zhvillimi i zgjedhjeve vendore. Në lidhje me zgjedhjet “Presidenti Topi dhe zoti Stainberg nënvizuan rëndësinë e rivendosjes sa më të shpejtë të dialogut të frytshëm mes forcave politike dhe përgatitjen sa më të mirë e në kohë për zgjedhjet vendore, që do të zhvillohen në 8 maj të këtij viti”.

Më poshtë, deklarata e plotë e presidencës në lidhje me takimin.

“Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Zëvendëssekretarin Amerikan të Shtetit, Xhejms B. Stajnberg si dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë, në përbërje të të cilit është edhe Zëvendësndihmës Sekretarin për Evropën dhe për Azinë, Tomas Kantrimen. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksander Arvizu.

Takimi i Kreut të Shtetit shqiptar me përfaqësuesin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit u përqendrua në situatën politike në Shqipëri, duke trajtuar në mënyrë të veçantë zhvillimet më të fundit. Në këtë pikë Presidenti Topi dhe zoti Stajnberg nënvizuan rëndësinë e rivendosjes sa më të shpejtë të dialogut të frytshëm mes forcave politike dhe përgatitjen sa më të mirë e në kohë për zgjedhjet vendore, që do të zhvillohen në 8 maj të këtij viti.

Presidenti Topi, pasi vlerësoi lart marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona mike dhe aleate dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e ndihmesën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara, ritheksoi gatishmërinë e tij personale dhe institucionale për të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm që nxit apo garanton dialogun politik midis palëve politike, si dhe të mirëpresë dhe të mbështesë propozime konkrete që do të bëjnë të mundur jetësimin e këtij dialogu institucional në shërbim të interesave madhore të vendit.

Nga ana e tij, Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Xhejms B. Stajnberg shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim me Presidentin Topi, vlerësoi lart rolin e tij institucional dhe konstruktiv në këto momente të vështira për Shqipërinë dhe e siguroi Kreun e Shtetit se ndihmesa dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do t’i mungojnë në përpjekjet e tij si simbol i unitetit të popullit për t’i shërbyer sa më mirë Shqipërisë dhe demokracisë shqiptare.

Zoti Stajnberg nënvizoi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara përsa i përket domosdoshmërisë për të rivendosur dialogun politik institucional dhe për shëndoshjen e demokracisë funksionale shqiptare si dhe të respektimit të institucioneve të pavarura të një vendi, që luan një rol të rëndësishëm në qëndrueshmërinë dhe paqen e rajonit ballkanik”.

a.k./NOA

KOMENTE