Tiranë, 25 shkurt, NOA – Pas përfundimit të takimit mes Zëvendëssekretarit Amerikan të Shtetit, Xhejms B. Stajnberg dhe presidentit Bamir Topi, Presidenca ka publikuar dhe qëndrimet e mbajtura nga palët në takim.
Gjatë takimit Stajnberg nënvizoi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara përsa i përket domosdoshmërisë për të rivendosur dialogun politik institucional dhe për shëndoshjen e demokracisë funksionale shqiptare si dhe të respektimit të institucioneve të pavarura të një vendi, që luan një rol të rëndësishëm në qëndrueshmërinë dhe paqen e rajonit ballkanik.
“Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Xhejms B. Stajnberg shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim me Presidentin Topi, vlerësoi lart rolin e tij institucional dhe konstruktiv në këto momente të vështira për Shqipërinë dhe e siguroi Kreun e Shtetit se ndihmesa dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk do t’i mungojnë në përpjekjet e tij si simbol i unitetit të popullit për t’i shërbyer sa më mirë Shqipërisë dhe demokracisë shqiptare”, njofton Presidenca për takimin e sotëm.
a.k/NOA (vijon)