Tiranë, 26 shkurt 2011, NOA- Konkursi i Hapur Ndërkombëtar për “Projektimin e Xhamisë dhe Muzeut të Tiranës e Bashkëjetesës Fetare”, i shpallur nga Bashkia e Tiranës më datë 28 janar 2011, hyri tashmë në fazën e tij të dytë që është “Etapa e Projektimit”.
Thirrjes së Bashkisë së Tiranës, iu përgjigj një interesim disa nga studiot prestigjioze ndërkombëtare.
Komisioni i Short-listimit, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të këtyre 100 kërkesave dhe aplikimeve shpalli sot pesë studiot, vlerësuar si më të përshtatshmet për të vazhduar garën në Fazën II, për “Projekt-idenë e Xhamisë së Re dhe Muzeut të Tiranës e Bashkëjetesës Fetare” dhe për të na dhuruar një projekt bashkëkohor që do i përgjigjet kërkesave të qytetit Tiranës si një sfidë dhe si një domosdoshmëri për Komunitetin Musliman të Tiranës e mbarë Shqipërisë dhe për të gjithë qytetaret e qytetarët e këtij vendi që kanë nevojë të shohin historinë e Tiranës, ashtu siç kanë nevojë ta shohin historinë e Tiranës në një hapësirë bashkëkohore muzeale dhe të gjithë vizitorët e interesuar.
Komisioni i përbërë nga 9 anëtarë, mes të cilëve arkitektë ndërkombëtarë dhe vendas, përfaqësues të Bashkisë, përfaqësues të Komunitetit Musliman dhe përfaqësues të shoqërisë civile përzgjodhi 5 studiot e mëposhtme:
Anëtarët e Komisionit të Short-Listimit:
1. Kryetari i Bashkisë së Tiranës (Kryetar)
2. Nevzat Sayin – arkitekt/ Turqi (Anëtar)
3. Johan Anrys – arkitekt/ Belgjikë (Anëtar)
4. Artan Shkreli – arkitekt/ shoqëria civile (Anëtar)
5. Ermir Hoxha – gazetar/ shoqëria civile (Anëtar)
6. Pëllumb Vorpsi – Përfaqësues i Komunitetit Musliman (Anëtar)
7. Fisnik Kruja – Përfaqësues i Komunitetit Musliman (Anëtar)
8. Dritan Agolli – Administrator i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës (Anëtar)
9. Adelina Greca – Arkitekte në Bashkinë e Tiranës (Anëtare)
Sudiot e Short-Listuara:
1. ANDREAS PEREA ORTEGA – Madrid/ Spain
2. ARCHITECTURE STUDIO – Paris/ France
3. BIG – Kopenhagen/ Danimarke
4. seARCH – Amsterdam/ Hollande
5. ZAHA HADID Architects – London/ UK
Këto studio do të vazhdojnë garën në fazën e dytë, për t’i dhënë jetë një xhamie të re e cila synon të jetë pjesë e koleksionit të veprave të rëndësishme të arkitekturës evropiane bashkëkohore.
Kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama e cilësoi projektin si një sfidë të hapur, një sfidë të jashtëzakonshme, një sfidë e shumëpritur jo vetëm nga besimtarët muslimanë e Komuniteti i tyre, por edhe nga të gjithë kryeqytetasit, për një Xhami të Re të Tiranës, që të hyjë në koleksionin e Xhamive të botës, si një gur i çmuar që i shtohet kurorës së veprave të të njëjtit lloj.
Kjo vepër, sipas Kryebashkiakut Rama do të jetë krenari për këtë qytet, do të jetë një vepër që do u flasë brezave për ditët e sotme, do të jetë një vepër e cila do u flasë shqiptarëve të rinj, atyre që lindin në ditët e sotme, atyre që do të lindin nesër e në të ardhmen, për pasurinë e jashtëzakonshme të këtij qyteti e këtij vendi, që është harmonia e bashkëjetesa fetare.
a.y/NOA