English

Drejtësia greke, më e rreptë ndaj të huajve

Athinë, 26 shkurt, NOA - Sipas një studimi, mesatarja e viteve të dënimit për grekët është 5,1 kurse për shqiptarët 10.5 dhe për afrikanët 8.3.

Fjalët e kriminalistit të shquar Thorsten Sellin shumë dekada më parë (1938) se “imigranti gjatë procesit të menaxhimit të së drejtës përbën objekt trajtimi të veçantë” dhe se “kur dërgohet në burg ka të ngjarë të burgoset me një masë dënimi më të madhe nga një person i lindur në vend” ngjajnë si profetike për ato çka ndodhin 20 vitet e fundit me të huajt në Greqi. Gjykatësit përdorin mbi të huajt gjithë rreptësinë e ligjit. Për të njëjtat shkelje penale të huajt marrin dënime shumë më të rrepta në krahasim me vendasit.

Problematikë e njohur

Profesori grek i së Drejtës Penale në Universitetin e Athinës dhe njëkohësisht ndihmës-ombudsman për të drejtat e njeriut, Vasilis Karidis, i cili sapo ka hedhur në qarkullim librin “Aspekte të kontrollit social - Panikët moralë dhe drejtësia penale” i tha DW: “Është një problematikë e njohur, me ndryshimin se nuk janë ndërmarrë studime të këtij lloji në vendin tonë edhe pse janë ndoshta shumë më tepër të nevojshme”. Së pari, siç sqaron, ishte “befasimi i shtetit dhe i shoqërisë që u treguan jo të gatshëm nga ana organizative dhe psikologjike për të menaxhuar fenomenin e shndërrimit të papritur të vendit në destinacion emigrimi dhe sidomos lidhjen jo të drejtë, në fazën e parë, të krimit me emigracionin”. “Sigurisht, një arsye tjetër është problemi i madh i mbipopullimit të burgjeve, që krijon probleme të mëdha dhe në një masë të madhe i dedikohet masës së madhe të dënimeve që jepen për të huajt” thekson zoti Karidis.

Diferencim i dukshëm në çdo grafik

Sipas rezultateve të studimit për vitet 2004-2006 të zhvilluar mbi 767 të dënuar, ku pas grekëve me 385 vetë ose 50.2% vijnë shqiptarët me 174 vetë ose 22%, të akuzuarit grekë për çështje droge marrin dënime të shkallës më të ulët, nga 3 muaj deri 6 vjet, kurse 60% e të huajve marrin dënime të shkallës më të lartë, nga 6 vjet deri në burgim të përjetshëm. Me burgim të përjetshëm dënohet vetëm 1.3% e totalit të shkelësve grekë të ligjit, kurse për të huajt kjo shifër arrin në 6.3%.

Kuota e të huajve që dënohet nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm është 3 herë më e madhe se ajo respektive e të dënuarve grekë. Në lidhje me llojin dhe sasinë e drogës konstatohet se të huajt e akuzuar dënohen me 3 vjet më shumë se shkelësit grekë të ligjit për “drogën e butë”. Diferencimi është i dukshëm në çdo grafik të studimit ku duket qartë se gjykatësit grekë kanë vënë në shënjestër të “huajin mashkull, të moshës 35-40 vjeç, punëtor në profesion”.

Ndikimi i stereotipeve negative

Si ndodh që gjykatësit kur vjen puna për të huajt “harrojnë” aksiomën kushtetuese “të gjithë të barabartë para ligjit”, e cila si parim brilant i iluminizmit është inkorporuar në kulturën juridike dhe politike të shoqërive të sotme demokratike? “Në bibliografinë respektive dhe doktrinën e kriminalistikës ekziston gjithnjë shqetësimi nëse gjykatësit i marrin vendimet sipas kritereve juridike institucionale –në rastin për shembull të krimit të rëndë personaliteti i dorasit- apo influencohen nga parametra të tjerë, të ashtuquajturat parametra jashtë-ligjore dhe jashtë-institucionale” thekson profesori grek për të shtuar se gjykatësit, për fat të keq, ndajnë të njejtat “paragjykime racore dhe etnike me opinionin gjatë formimit të opinionit të tyre gjykues”. “Është e dukshme se edhe vetë gjykatësit bashkohen me konceptet e popullsisë në përgjithësi se të huajt janë përgjegjës për kriminalitetin dhe bile një pjesë e konsiderueshme në një anketim të posaçëm është përgjigjur se të huajt rreken ndaj krimit”.

“Është me interes të veçantë fakti që shikon një trajtim më të disfavorshëm të imigrantëve shqiptarë në krahasim me imigrantët e tjerë aziatikë” nënvizon profesor Karidis duke theksuar rolin e “stereotipit negativ”, të zbehur në fakt, siç vëren, me kalimin e viteve. Kështu në qoftë se për grekët mesatarja e viteve të dënimit është 5.1 vjet, për shqiptarët është 10.5 dhe për afrikanët 8.3 vjet.

Deutsche Welle

KOMENTE