E shtunë, 26 shkurt 2011, NOA- Ndërkohë që anija Discoveri fillon misionin e saj të fundit në orbitën e tokës, programi 30-vjeçar amerikan i anijeve të hapësirës është një hap më pranë përfundimit të caktuar në prill të këtij viti.
Flota e anijeve, tashmë e vjetëruar, është bërë simbol i teknologjisë amerikane, me transportin që u ka siguruar astronautëve, teleskopëve të hapësirës e laboratorëve të lëvizshëm në hapësirë, si dhe ka ndihmuar në rindërtimin dhe furnizimin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.
Anija Discoveri ka qenë vizitore e rregullt e orbitës së Tokës që në vitin 1984. Kjo është anija më e vjetër dhe me shërbim më të gjatë në flotën e Agjencisë amerikane të Hapësirës.
Drejtori i misionit të Nasës Majk Lainbah thotë se fluturimi i fundit i Discoverit vjen pas shumë vonesave për shkak të motit, problemeve teknike dhe riparimeve të serbatorit të jashtëm. Megjithatë, tani anija është gati, thotë ai.
“Discoveri është anije e mirë. Ky është misioni i 39-të dhe ajo do të mund të kishte bërë më shumë nëse programi do të ishte zgjatur. Është për të ardhur keq që ky është misioni i saj i fundit, por ajo do të do të funksionojë fare mirë dhe do ta kthejë ekuipazhin shëndosh në tokë.”
Misioni 11-ditor i anijes Discoveri do të furnizojë Stacionin e Hapësirës. Në bord janë 3 mijë e 855 kilogram furnizime, përfshirë një radiator dhe një robot që quhet Robonaut 2.
Gjatë shërbimit të saj të gjatë në hapësirë, anija Discoveri ka punuar shumë thotë Valeri Nil, kuratorja e anijes në Muzeun Kombëtar Smithsonian të Hapësirës në Uashington.
“Anija ka dërguar edhe satelitë. I ka marrë ato nga hapësira dhe i ka riparuar. Ka bartur laboratore shkencore. Ka dërguar Teleskopin e Hapësirës Habëll dhe është kthyer dy herë për ta nderqur atë. Ka fluturuar dy herë në Stacionin rus të hapësirës dhe 13 herë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.”
Discoveri ka shënuar shumë ngjarje historike. Ishte e para që u kthye në hapësirë pas aksidenteve vdekjeprurëse që shkatërruan anijet simotra, Çallënxhër dhe Kolumbia. Ishte e para që pati një pilote femër. Dhe, Valeri Nil thotë se pavarësisht nga rreziqet e pashmangshme të fluturimeve në hapësirës, Discoveri ka bërë që këto fluturime të duken të zakonshme.
“Që kur anija e hapësirës filloi udhëtimet, ne kemi pasur njerëz që kanë udhëtuar pesë, gjashtë, shtatë, tetë apo edhe nëntë herë në vit.”
Nasa planifikon dy misione të tjera, një me secilin prej anijeve të hapësirës, para se programi të përfundojë këtë vit. Pastaj NASA do të duhet të varet nga anijet evropiane, ruse dhe japoneze për të dërguar astronautët dhe furnizimet në orbitë deri sa anijet amerikane komerciale të hapësirës të fillojnë punën plotësisht ndoshta brenda pesë vjetësh.
VOA/NOA