Nju Jork, 26 shkurt, NOA – Organizata e Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe Bashkimi Evropian kanë ndërmend ta ndëshkojnë liderin libian, Gaddafi, me sanksione pas dhunës që ato pretendojnë se ai po ushtron ndaj forcave demokratike të këtij vendi.
Konkretisht, sot Këshilli i Sigurimit të OKB-së pritet që sot në një mbledhje të posaçme të miratojë një rezolutë të ashpër në Nju Jork.
Masat e parashikuara për t’u ndërmarrë janë një embargo e armëve si dhe ndalim-udhëtimi për Gaddafin dhe ngrirjen e pasurisë së tij.
"Është koha për Këshillin e Sigurimit që të marrë në konsideratë veprime konkrete. Orët dhe ditët që vijnë do të jenë vendimtare për libianët dhe vendin e tyre dhe me pasoja po aq të rëndësishme për tërë rajonin. Deklaratat dhe veprimet e Këshillit të Sigurimit priten me padurim... Çfarëdo që të jetë kursi i juaj, le të jemi të ndërgjegjshëm se ky moment është tepër emergjent. Në këto rrethana, humbja e kohës do të thotë më shumë jetë të humbura", tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon.
n.e/NOA