English

PS: Ja pse nuk jemi Libi e Tunizi

Tiranë, 26 shkurt, NOA – Partia Socialiste, në mënyrë indirekte, ka mbështetur sot deklaratën e zëvendës Sekretarit Amerikan të Shetit, Xhejms Stainberg në lidhje me paralelizmin mes vendeve të Lindjes së Mesme dhe situatës në Shqipëri. Deputetja e PS-së, Elgantina Gjermeni tha për mediat se, Shqipëria nuk është si Tunizia dhe Libia, ndaj nuk duhet lejuar një kryeministër si Sali Berisha që të shajë dhe të ofendojë popullin

“Shqipëria nuk është Tunizia, ja pse nuk mund të tolerohet një kryeministër që u thotë demonstruesve banditë. Shqipëria nuk është Libia, ja pse nuk duhet të kemi një kryeministër që ju thotë bijve të nënave në protestë, të droguar”, tha Gjermeni.

Ajo shtoi se Shqipëria nuk është sulltanat, “ja pse nuk duhet ta tolerojmë një kryeministër që bën sulltanin duke i quajtur burrat e gratë opozitar, minj”.

Gjermeni u shpreh se sot vendi drejtohet nga një kryeministër, por një drejtues keqbërësish.

“Ky lloj kryeministri s’është udhërrëfyesi i popullit drejt Europës së dinjitetit njerëzor, po një udhëheqës keqbërësish që kanë vjedhur zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë, e vranë për të vazhduar të vjedhin”, tha ajo.

Gjermeni ka bërë apel për mbështetje ndaj grave dhe nënave të 4 demonstruesve të vrarë, duke përsëritur dhe sloganin e ri të PS-së, “Fajin e ka Saliu”.

“Gratë sot më shumë se kurrë janë bashkë me nënën e Hekuran Dedës, motrat e Aleks Nikës, gruan e Faik Myrtaj, vajzën e Ziver Veizit, për ta larguar me fuqinë e të vërtetave të dhimbshme të këtij vendi Saliun. Fajin për të gjitha e ka Saliu. Pa Saliun Shqipëria s’do vritet, vidhet e gënjehet më nga qeveria e vet dhe shqiptarët s’do shahen më mes njeri tjetrit”, tha sot Gjermeni në një deklaratë për mediat.

a.k/NOA

KOMENTE