Beograd, 26 shkurt, NOA - Nëse dëshiron të fitojë statusin e kandidatit e të fillojë bisedimet për integrim në BE, Serbia duhet të kryejë një varg reformash. Aty bën pjesë edhe bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës. Këtu ndahen qëndrimet në BE.
Në fillim të këtij viti si nga Brukseli ashtu dhe nga Beogradi është theksuar se viti 2011 do të jetë vit i sfidave të mëdha, por edhe i mundësive të mëdha në procesin e eurointegrimeve për Serbinë. Nëse dëshiron të arrijë objektivin dhe fundin e këtij viti ta presë si vend kandidat për anëtarësim në BE, Serbia duhet të kryejë një varg reformash serioze. Dhe përderisa Komisioneri për zgjerimin i BE-së, Stefan Füle dhe Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kaçin theksojnë se Zyra e qeverisë së Serbisë për eurointegrime po i kryen shkëlqyeshëm punët e saj dhe po tregon se Serbia ka kapacitete të mëdha administrative, ata kujtojnë njëkohësisht se përveç çështjeve të reformave teknike në rrugën drejt kandidimit Serbinë e presin edhe detyra të tjera:
Cilët janë faktorët vendimtarë për Serbinë në rrugën drejt BE-së?
Drejtorja e programit për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Sabine Frejzer për Deutsche Wellen është shprehur: "Eshtë e mundur që Komisioni Evropian, i cili së pari i vlerëson aftësitë teknike të Serbisë në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës do të thotë që Serbia ka bërë punë të mirë dhe teknikisht është e gatshme të fillojë bisedimet për anëtarësim në BE. Por atëherë për diskutim do të shtrohet edhe mendimi i vendeve anëtare, të cilat duhet të japin "dritën jeshile". Në këtë pikë bashkëpunimi me Hagën dhe raportet Serbi -Kosovë do të jenë faktorë vendimtar politik që do të përcaktojnë nëse vendet anëtare do të mbështesin mendimin e Komisionit Evropian",
Komisioni Evropian në 12 tetor ka paralajmëruar prezantimin e raportit të ri për progresin e arritur nga vendet e ndryshme në proceset eurointegruese. Në këtë raport pritet të përfshihet edhe mendimi për gatishmërinë e Serbisë që të fitojë statusin e kandidatit për hyrjen në BE. Po ashtu, gjatë këtij viti pritet publikimi i raportit të qershorit dhe ai i dhjetorit i kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës, Serge Brammertz .
Shefi i diplomacisë suedeze Karl Bildt vlerëson që në formimin e mendimit për kandidaturën e Serbisë vendimtare mund të jenë shumë çështje dhe jo vetëm apo në radhë të parë bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës: "Çështje kyçe në të vërtetë janë shumë çështje të tjera. Procesi i dhënies së mendimit nga Komisioni Evropian është shumë gjithëpërfshirës ku "skanohet" një vend dhe përparimet e tij. Bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës është vetëm një pjesë e këtij procesi", kujton Bildt.
Dallime mes vendeve evropiane për bashkëpunimin e Serbisë me Hagën
Dhe përderisa të gjithë pajtohen se bashkëpunimi me Hagën mbetet kusht për afrimin e Serbisë me BE-në ka dallime sa i përket definicionit "bashkëpunim i plotë me Hagën". Në rastet e mëhershme për shembull me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit disa vende në radhë të parë Holanda dhe Belgjika kishin vlerësuar se Serbia duhet të përkujdeset që Mlladiqi të gjendet në Hagë, vende të tjera ishin më fleksibël. "Për këtë do të ketë shumë diskutime, ndërsa mendimi im është që Mlladiqi duhet të jetë në Hagë para se të kenë filluar negociatat për pranimin e Serbisë në BE", thotë përfaqësuesja e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Sabine Frejzer.
Është detyrë e Tribunalit të Hagës dhe kryeprokurorit Serge Brammertz të definojë se çfarë do të thotë "bashkëpunim i plotë" dhe ndoshta kjo nuk nënkupton patjetër edhe Mlladiqin në Hagë, vlerëson Roza Balfur nga Qendra për politikë evropiane me seli në Bruksel. "Të gjithë fokusohemi tek Mlladiqi, por bashkëpunimi i plotë me Hagën ngërthen shumë gjëra të tjera. Nuk është në pyetje vetëm dorëzimi i kriminelëve të luftës, por edhe krijimi i strukturave të sigurisë, transparenca e trye, ofrimi i dokumentacionit të nevojshëm për Hagën. Brammertz vlerëson shumë gjëra dhe mendimi i tij për përparimet e Serbisë nuk do të varet vetëm nga dorëzimi i Mlladiqit, por edhe nga çështe të tjera", thotë Roza Balfur.
Deutsche Welle