Tiranë, 26 shkurt 2011, NOA- Ditën e sotme Ministri i sapozgjedhur i Shëndetësisë Kosovare, Ferid Agani zhvilloi një takim me Ministrin Shqiptar të Shëndetësisë Petrit Vasili.
Gjatë fjalës së mbajtur para medieve ministrat theksuan se reformat në shëndetësi dhe sfidat në të ardhmen janë prioritetet e shëndetësisë.
Vasili theksoi se, sistemi shëndetësor shqiptar po i nënshtrohet reformimit më të thellë gjatë këtyre 20 viteve, çka shtoi ai do të evitojë dhe zhdukë gjithë problemet që janë hasur deri tani.
Ministrit kosovar Ferid Agani, tha se Kosova po përballet me probleme shqetësuese për sa i përket sistemit shëndetësor .
“Shëndetësia në Kosovë ka pasur vështirësi të mëdha dhe sfida mjaft serioze, por jam i bindur se ndihma dhe bashkëpunimi mes dy vendeve, siç na siguroi ministri Vasili, na motivon më tepër për reformimin dhe evoluimin e shëndetësisë.
Vasili dhe Agani theksuan rëndësinë që ka bashkëpunimi për të dyja vendet, sidomos në fushën e shëndetësisë për ta çuar atë më përpara.
a.y/NOA