English

Vetëvendosje: Jo nëpërkëmbje punëtorëve

Prishtinë, 26 shkurt 2011, NOA- Nëpërmjet një deklarate për mediat Lëvizja Vetëvendosje ka dalë në mbështetje të punëtorëve, përmes saj kjo lëvizje shprehet:

Ushtarët e UÇK-së, punëtorët e mëvonshëm të sigurimit të KEK-ut, ndërmarrja “Mbrojtja dhe siguria”, janë ata që e ruajtën këtë pasuri kombëtare në kohërat më të vështira. Ata luftuan për çlirim, por edhe i ruajtën pajisjet dhe ambientin punues menjëherë pas luftës. Ndarja e ndërmarrjes sonë energjetike në shumë njësi të veçanta e të pavarura nga ajo, përkatësisht procesi që u quajt “korporatizim”, ishte një mënyrë për t’u larguar nga obligimet që ndërmarrja ka ndaj punëtorëve të saj.

KEK-u nuk është privatizuar ende. Por punëtorët e KEK-ut tashmë po i vuajnë pasojat e privatizimit që pritet të ndodhë.

Humbjet që u shkaktuan nga korrupsioni i emisarëve politikë në bordin e KEK-ut i janë faturuar dhe po i faturohen punëtorëve. Ndarja e njësive nga KEK-u bëhet me justifikimin se ndërmarrjes po i rritet efiçienca dhe po ashtu po rritet pëlqyeshmëria e korporatave që duan ta blejnë këtë ndërmarrje publike, duke qenë se po zvogëlohet numri i punëtorëve (pra edhe obligimet për investitorin e ri). As njëra e as tjetra nuk ka ndodhur. KEK-u ka larguar njerëz nga puna, por çorganizimi në KEK vetëm është rritur, po ashtu dhe korrupsioni. KEK-un e ka sjellë në këtë gjendje politika e korruptuar e menaxhmentit të tij. Menaxhmenti i tij është reflektim direkt i politikave qeveritare.

Mënyra si është trajtuar KEK-u nga qeverisjet prej vitit 1999 e deri më sot tregon mungesën totale të ndjesisë për publiken, për të përbashkëtën tonë.

Ndërkaq punëtorëve të ndërrmarrjes “Mbrojtja dhe siguria” në fillim iu thanë se do ta vishni uniformën e sigurimit privat, por s’ka gjë se ju KEK-un e ruani dhe në KEK jeni. Më pas kur u ndërrua qeveria u ndërrua edhe kompania e sigurimit. E kompania e re ua uli edhe më shumë pagat dhe ua vështirësoi edhe më kushtet e punës punëtorëve. Interesante është të vërehet si ka ndryshuar paga e tyre: Mbi treqind euro merrnin në kuadër të KEK-ut, dyqind sosh i merrnin me kompaninë private “ËDG”, e vetëm 150 marrin tash me kompaninë tjetër “BESA SECURITY”.

Lëvizja Vetëvendosje mbështet plotësisht protestat dhe kërkesat e të punëtorëve të sigurimit. Ne e kundërshtojmë praktikën e nëpërkëmbjes së të drejtave të punëtorëve dhe të mosmbrojtjes së punëtorëve nga asnjë instancë e pushtetit. Punëtorët në Kosovë historikisht dhe aktualisht janë arsyeja dhe baza e pasurisë sonë të përbashkët. Këtë pasuri që e kanë krijuar ata jemi të obliguar ta mbrojmë të gjithë, duke u obliguar kështu t’i mbrojmë edhe punëtorët.

a.y/NOA

KOMENTE