Bruksel, 27 shkurt 2011, NOA – Akuzat se Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli ka shkelur Kushtetutën e Kosovës qysh pak momente pas betimit të tij si President, duke votuar si deputet i Kuvendit qeverinë e re të Kosovës, akuza këto të artikuluara gjerësisht në mediat kosovare, i ka mbështetur edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian komisionerja Ulrike Lunacek, e cila e ka parë me dyshim mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, i cili mori 62 vota pro vetëm në raundin e tretë të votimit për zgjedhjen e Presidentit.
Eurodeputetja Lunacek në një intervistë për radion “Evropa e Lirë” u shpreh se “Kam qenë e shqetësuar me disa procedura të votimit gjatë zgjedhjeve të institucioneve”.
Por lidhur me akuzat Lunacek jep edhe zgjidhjen për tejkalimin e tyre, duke argumentuar se Presidenti i zgjedhur me referendum popullor është zgjidhja e tërë shqetësimeve. “Për këtë arsye, presidenti duhet të zgjidhet nga populli, në mënyrë që të mos ketë ndonjë lloj presioni dhe loje në Parlament”, tha eurodeputetja Ulrike Lunacek.
Më herët ishte gazeta kosovare “Koha Ditore”, e cila evidentoi sot se Kryetari i ri i shtetit të Kosovës është parë në xhirimet televizive e në shumë foto me dorën e ngritur lart, duke e votuar kabinetin “Thaçi 2”.
Ky argument bën që Presidentin i ri të ketë shkelur Kushtetutën, e cila shprehimisht nuk i lejon Presidentit të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik, pas dhënies së betimit.
mit/NOA