English

Ca fjalë për kalanë në Shkup

“Në periudhë parazgjedhore, një impotencë e tillë institucionale për një rast skandaloz të përndjekjes së padrejtë të shoqërisë civile shqiptare është e pafalshme dhe mund të interpretohet në mënyra të ndryshme duke dëmtuar rëndë elementet kombëtarë në vend. Njëkohësisht, ku janë intelektualët shqiptarë dhe analistët që ta sfidojnë këtë hudhje të padrejtë të fajit tek shqiptarët”.

Skënder Asani *

Beteja e shoqërisë civile shqiptare, e prirë nga ZGJOHU!, për Kalanë e Shkupit dhe për trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoni ka filluar qysh në mars të vitit 2007. Asokohe, shoqëria civile e përbërë nga ZGJOHU!, historianët, arsimtarët, artistët, shkrimtarët dhe shumë të tjerë paralajmëroi mundësinë e falsifikimit të historisë si tendencë për ta zbehur prezencën e pashkëputur historike shqiptare në Maqedoni.

Këto organizata alarmuan komunitetin ndërkombëtar dhe morrën përkrahje nga Tirana dhe Prishtina bashkë me elementet më kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni. Të gjithë u rreshtuan pas betejës tonë, duke përfshirë edhe partitë politike shqiptare, fushatë kjo që dëshmoi një zgjim dhe vetëdijësim të shoqërisë shqiptare në këtë vend, gjë që u mirëprit nga i gjithë kombi shqiptar si frymë e re kombëtare që po komplementonte politikën shqiptare dhe po sfidonte elementet dhe fushatat antishqiptare në vend.

Kjo betejë e jona vijoi vite me radhë dhe u ndërlidh me mbrojtjen e shtëpisë së lindjes së Nënës Terezë dhe figurës së saj nga tjetërsimi si dhe më vonë me sfidimin tonë të projektit monoetnik dhe monofetar Shkupi 2014. Ishte pikërisht ky forum joqeveritar që alarmoi për herë të parë edhe për Burmali Xhaminë nëpërmjet Memorandumit që iu nis organizatës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore botërore UNESCO.

Paralajmërimet tona dhe vizioni jonë largpamës, për fat të keq nuk pengoi realizimin e djallëzisë së projektit qeveritar në Kalanë e Shkupit nëpërmjet ndërtimit të Kishës në këtë kala ilire, por fatmirësisht, partitë politike shqiptare reaguan pas alarmit që ndezi shoqëria civile dhe mediat dhe të gjitha pa përjashtim u vënë në mbrojtje të qëndrimeve tona për Kalanë e Shkupit. Kjo është arritja më e madhja e jona dhe ky unitet duhet të mbahet, por duhet të dalim edhe faqebardhë nga gjithë kjo fushatë që mos të na mallkoj historia nesër.

Jemi dëshmitar që fushata jonë është e suksesshme pasi që konferenca e jonë e përbashkët për shtyp e ditës së diel, 13 shkurt 2011, u sfidua nga huliganët që kishin ardhur për të penguar zërin intelektual dhe qytetar të shqiptarëve në Maqedoni. Ky zë, atë ditë gjeti mbështetje tek të gjitha partitë e mirëfillta shqiptare me bindje të ndërgjegjes kombëtare.

Por ç’po ndodh sot, ku u strukua kjo mbështetje masovike, publike dhe pjesëmarrja e politikanëve shqiptar nga shumë provinienca krah për krah me popullin në Kala? Pse lejuan që viktimat, në këtë rast OJQtë shqiptare dhe liderët e tyre që u sulmuan në mënyrë shtazarake, të satanizohen nga mediat maqedonase pa asnjë kundërshtim? Thirjet dhe mesazhet për mbështetje të mijëra shqiptarëve nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Diaspora u tretën në trishtim nga fushata ndëshkuese që po ndërmerr policia e shtetit kundër të sulmuarve në Kala dhe nga heshtja miratuese e autoriteteve shqiptare dhe partive politike.

Në periudhë parazgjedhore, një impotencë e tillë institucionale për një rast skandaloz të përndjekjes së padrejtë të shoqërisë civile shqiptare është e pafalshme dhe mund të interpretohet në mënyra të ndryshme duke dëmtuar rëndë elementet kombëtarë në vend. Njëkohësisht, ku janë intelektualët shqiptarë dhe analistët që ta sfidojnë këtë hudhje të padrejtë të fajit tek shqiptarët.

Për cilat premtime parazgjedhore dhe për cilën politikbërje do të flasim para qytetarëve nëse nuk arrijmë dot të mbrojmë elementin e pafajshëm dhe më konstruktiv të shoqërisë shqiptare që është shoqëria civile e cila ka ndihmuar dhe ka promovuar të gjitha proceset përparimtare për shqiptarët në Maqedoni?

Fundja, ndëshkime të tilla të qytetarëve kemi parë në të kaluarën për ato shqiptarë që u rreshtuan pas represionit shtetëror në 2001 dhe në nëntor 2007. Po të njejtët nuk e kanë harruar zanatin e vjetër të të bërit mbrojtjës të agresivitetit shtetëror kundër shqiptarëve dhe sot iu vërsulën djemve dhe vajzave shqiptare të cilët u sulmuan në Kala. Pikërisht këtu edhe qëndron ose duhet të qëndron dallimi midis forcave që janë të thirura të ndalin këtë fushatë ndëshkuese dhe të rreshtohen në mbrojtje të shoqërisë civile në mënyrë që të mos barazohen me ata që ka ndëshkuar dhe do të vazhdojë ti ndëshkojë populli.

*Kryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptar në Maqedoni

KOMENTE