Tiranë, 27 shkurt 2011, NOA – Deputetja e Partisë Demokratike Rajmonda Bulku e ka akuzuar Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama se “si heroina e bllokmenëve të rinj” po nxjerr përditë në tregun e mediave opozitare dokumenta të dosjes së grushtit të shtetit të 21 janarit. Deputetja Bulku e ka cilësuar si një amoralitet të plotë profesional këtë gjest të kryeprokurores, duke e akuzuar atë se po bën gjithçka me qëllim që të rrënojë hetimin.
“Shoqja e bulevardit dërgon në selinë e Partisë Socialiste çdo darkë dokumentat e hetimit vetëm e vetëm që të mund të mbrojë në këtë proces të shkatërruar, pinjollët e Ben Alive, Gedafëve, Mubarakëve, që përmbysëm në vitin ‘91”, deklaroi zonja Bulku në një konferencë për shtyp.
Sipas deputetes Bulku kryeprokurorja Ina Rama po rreket të mbrojë nga hetimi Edvin Kristaq Ramën, që sikundër tha zonja Bulku është nipi i xhelatit të inteligjencës teknike shqiptare që siç tha ajo 20 vjet më parë deklaronte se pushtetin e kemi marrë me gjak dhe nuk e dorëzojmë pa gjak.
Duke denoncuar këtë qëndrim të papërgjegjshëm të kryeprokurores Ina Rama deputetja demokrate Rajmonda Bulku tha se kryeprokurorja Rama mbron organizatorin e grushtit të shtetit për të siguruar mandatin e dytë në krye të Prokurorisë së Përgjithshme.
“Shoqja e bulevardit që ka mbyllur 41 dosje të Edvin Ramës për afera korruptive që shkojnë qindra miliona Euro, me botimin që bën çdo ditë të dokumentave të grushtit të shtetit të 21 janarit, mendon se do të mbyllë edhe këtë krim të bllokmenëve të rinj, vetëm e vetëm se ajo dhe "shoku i bulevardit" kishin vendosur mbi të mandatet e tyre të dyta”, theksoi deputetja Bulku.
Zonja Bulku i kujtoi kryeprokurores Ina Rama se mazhoranca është e vendosur ta çojë deri në fund hetimin e 21 janarit duke e siguruar atë se “asgjë nuk do të të shpëtojë ty dhe ata që të urdhërojnë ty për të prishur një proces kaq vendimtar për paqen dhe stabilitetin e vendit”.
mit/NOA