English

PDIU përshëndet shtyrjen e regjistrimit të popullsisë

Tiranë, 27 shkurt 2011, NOA - Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përshëndeti shtyrjen e regjistrimit të popullsisë një vendim i bërë publik sot nga qeveria shqiptare. Duke iu referuar kësaj kërkese të hershme dhe pubike e PDIU-së, PDIU deklaron se “Regjistrimi i popullsisë duhet të jetë larg tendencave dhe ndërhyrjeve të dënueshme e të dëmshme, të cilat cënojnë rëndë sovranitetin e Shqipërisë, çka përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës”.

Sipas PDIU-së tashmë procesi i regjistrimit të popullsisë do të marrë kohën e nevojshme për t’u diskutuar në publik dhe nga juristët, në mënyrë që të jetë një proces i drejtë, transparent dhe brenda standardeve evropiane.

PDIU shpreh bindjen se pas diskutimit të gjerë dhe transparent publik, pyetjet mbi kombësinë dhe fenë do të rezultojnë antikushtetuese dhe si pasojë do të hiqen nga pyetësori përfundimtar.

Partia e çamëve PDIU thekson se në Kushtetuta qytetarët shqiptarë janë të barabartë përpara ligjit pavarësisht bindjeve të tyre fetare dhe përkatësisë etnike, duke bërë me dije se “Shqipëria është dhe do të mbetet një shtet unitar”.

mit/NOA

KOMENTE