Përmet, 27 shkurt 2011, NOA – Pas ngritjes në orët e para të mëngjesit të një postblloku në aksin rrugor Përmet-Leskovik Policia Kufitare e Gjiroakastrës ka mundur të sekuestrojë 1 kg mariuanë dhe një armë zjarri tip Pistoletë të markës TT duke vënë në pranga edhe poseduesin e drogës, që ishte larguar vite më parë nga Tropoja për arsye të gjakmarrjes.
Policia kufitare bën me dije se rreth orës 02.30 të mëngjesit, kishte pikasur në aksin rrugor Përmetit në drejtim të fshatit Çarshovë një automjet tip benz me targa të Vlorës, drejtuesi i të cilës sipas informacioneve dyshohej se transportonte lëndë narkotike, madje dhe se ishte i armatosur.
Disa minuta më pas Policia Kufitare e Tri – Urave në Përmet ka bllokuar automjetin në fjalë në hyrje të fshatit Çarshovë.
Policia informon se nga kontrolli paraprak në bagazhin e automjetit u konstatua një qese e mbështjellë me letër natriban, ku brenda saj kishte 1 kilogramë lëndë narkotike të llojit Mariuanë.
Sipas policisë lënda narkotike u gjet në automjetin tip Benz me targa VL 01 95 D, drejtues i të cilës ishte 26-vjeçari Xhevahir Doçi, i lindur në Tropojë dhe banues në Gjirokastër.
Doçi ishte i dënuar më parë në vitin 2009 me 13 muaj burg për armbajtie pa leje.
Sikundër mësohet pas gjetjes së drogës dhe kontrollit të imtësishëm në vendngjarje nga grupi hetimor u zbulua se Xhavahir Doçi në tapicerinë tavanit mbi kokën e shoferit kishte fshehur një armë zjarri Pistoletë e tipit T’T, me fishekë në gojë së bashku me karikatoren me 6 fishekë të tjerë, të cilat u sekuestruan nga policia si provë materiale.
Pas marrjes në pyetje të 26-vjeçarit policia informoi se ai ishte larguar nga Tropoja për arsye të gjakmarrjes.
Efektivët e hetimit të narkotikëve thanë se ky shtetas e kishte blerë lëndën narkotike në fshatin Lazarat dhe do ta çonte në Leskovik, për t’ia shitur më pas një shtetasi nga Leskoviku, për kapjen e të cilit po punohet ende nga policia e Gjirokastrës.
Policia ka vënë në pranga Xhevahir Doçin, i cili është nën akuzë për konsumimin e veprës penale të prodhim dhe shitjes së narkotikëve.
mit/NOA