English

Profili i udhëheqësit libian Moamar Gadafi

Libi, 27 shkurt, NOA - Udhëheqësi libian Moamar Gadafi, i cili erdhi në pushtet më 1969, njihet për sundimin e tij të pamëshirshëm. Megjithë protestat masive, udhëheqësi 68-vjeçar refuzon të largohet dhe thotë se do të vdesë si martir. Por cili është Gadafi dhe si kanë qenë marrëdhëniet e tij me Perëndimin gjatë më shumë se 40 vjetëve në pushtet? Le t’i hedhim tani një vështrim jetës së tij.

Si oficer i ri ushtarak, Moamar Gadafi kryesoi një grusht shteti kundër mbretit të atëhershëm dhe krijoi Republikën Arabe Libiane. Në vitet 1970, ai u përpoq të bashkonte Libinë, Egjiptin dhe Sirinë në Federatën e Republikave Arabe dhe gjatë 42 viteve të sundimit të tij, ai e ka zemëruar vazhdimisht perëndimin.

Ian Lesser ishte këshilltar i presidentit Bill Klinton për çështjet e Afrikës Veriore.

“Ne kemi parë shumë ndryshime në politikën e Libisë, njëherë duke u përqendruar tek çështjet arabo-izraelite, pastaj në rajon dhe në Afrikë. Njëherë Libia shfaqet so vend afrikan, një herë si vend i Lindjes së Mesme. Pastaj shfaqet si aktor global, dhe pastaj mbyllet brenda vetes. Këto janë ndryshime të shpejta.”

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Libisë u rritën në vitet 1980. Shtetet e Bashkuara e akuzuan Libinë për shpërthimin në një disko të Berlinit perëndimor që frekuentohej nga ushtarët amerikanë, dhe dy vendet filluan luftën për qasje në Gjirin e Sidrës. Presidenti Ronald Regan e quajti Gadafin:

“Qeni i çmendur i Lindjes së Mesme.”

Shtetet e Bashkuara u hakmorrën për incidentin e Berlinit duke bombarduar një kompleks të Gadafit. Ai arriti të shpëtonte, por vajza e tij e adoptuar vdiq.

Në fund të viteve 1980, avioni Pan Am 103 shpërtheu mbi Lokërbi të Skocisë duke lënë 270 vrarë, shumë prej tyre amerikanë. Vite më vonë, Libia pranoi përgjegjësinë për bombën dhe ra dakord të paguante dëmshpërblime. Një libian u dënua me 27 vjet burg për këtë, por kur u lirua për arsye humanitare, zoti Gadafi e priti atë si hero.

Tani protestuesit e frymëzuar nga kryengritjet në Egjipt, po sfidojnë pushtetin e udhëheqësit libian, dhe ai po humb përkrahjen e figurave kryesore qeveritare.

Ali Aujali është ambasadori libian në Shtetet e Bashkuara.

“Unë nuk pranoj t’i shërbej këtij regjimi diktatorial. Por nuk tërhiqem nga shërbimi ndaj popullit tim, deri sa zërat e tyre të arrijnë në të gjithë botën. Bëj thirrje që ai të largohet dhe ta lërë popullin tonë rehat.”

Moamar Gadafi foli në televizionin shtetëror dhe tha se do të qëndrojë në Libi dhe do të vdesë si martir.

Ai ngriti Librin e Gjelbër që kishte shkruar për politikën e tij filozofike. Librat merren pa pagesë në ambasadat libiane në të gjithë botën. Pjesa e parë titullohet “Zgjidhja e Problemit të Demokracisë.”

Ali Abuzakuk është aktivist libian i të drejtave të njeriut në Virxhinia. Protestuesit në Libi e telefonuan atë ndërkohë që shihte zotin Gadafi në televizor.

“Kjo është thirrja e fundit. Fjalimi i fundit. Nuk do të ketë gjë tjetër për të thënë sepse ai po jeton jashtë historisë. Ai nuk është më pjesë e historisë.”

Megjithatë, ai vazhdon të sundojë në Libi, edhe pse disa analistë thonë, se është shkëputur nga realiteti.

NOA/VOA

KOMENTE