English

Serbia pret bisedime të vështira me Kosovën

Beograd, 27 shkurt, NOA - Shefi i ekipit serb për dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, ka vlerësuar se bisedimet do të jenë të vështira, do të kenë ngritje dhe rënie dhe se do të zgjasin mjaft gjatë për të zgjidhur problemet më kryesore.

Në një intervistë të shtunën për mediat serbe, Stefanoviç ka thënë se fillimisht do të shqyrtohen tema si liria e lëvizjes, përdorimi i telefonisë mobile, energjia elektrike, tabelat e automjeteve dhe çështja e personave të pagjetur.

“Secila çështje ka një shkallë të madhe të vështirësive dhe nuk duhet ngritur pritje jo reale. Këto do të jenë bisedime të vështira dhe do të zgjasin mjaft gjatë për të zgjidhur problemet kryesore”, është shprehur ai.

Duke komentuar emërimin e zëvendëskryeministres së Kosovës Edita Tahiri për shefe të ekipit të Kosovës për dialogun, Stefanoviç ka thënë se ajo është një negociatore me përvojë dhe se për këtë pret se do të ketë “mundësi për implementimin e plotë të asaj për të cilën do të dakordohemi”.

“Kam besim të plotë se përmes dialogut konstruktiv do të arrihet deri te zgjidhjet më të volitshme për njerëzit në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndryshe, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është paralajmëruar se do të fillojë në gjysmën e parë të muajit të ardhshëm në Bruksel. Pala kosovare ka këmbëngulur se në kuadër të dialogut do të bisedohet si dy shtete të pavarura dhe do të trajtohen vetëm për çështje teknike, dhe assesi nuk do të ketë rihapje të kapitullit të statusit të Kosovës.

NOA

KOMENTE