Paris, 28 shkurt, NOA - Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, ka emëruar për shef të ri të diplomacisë franceze ministrin e tanishëm të Mbrojtjes, Alain Juppe, vetëm disa orë pasi që ministrja e deritanishme e Jashtme, Michele Alliot-Marie, ofroi dorëheqjen.
“Kemi vendosur të riorganizojmë ministritë përgjegjëse për diplomacinë dhe sigurinë”, tha Sarkozy në një fjalim televiziv. Michele Alliot-Marie i kishte kërkuar në një letër presidentit dorëheqjen, por kishte pohuar se nuk kishte “bërë asnjë gabim”.
Alliot Marie ishte e përfshirë në serinë e skandaleve shkaku i lidhjeve të saj të dyshimta me Tunizinë, ku në fakt ishte për pushime gjatë trazirave dhe rebelimit të popullit atje. Familja e saj ka pranuar se ka blerë aksione në një kompani të një biznesmeni tunizian, i cili siç pohohet është i afërt me regjimin e presidentit të larguar Ben Ali, raportojnë mediet franceze. I njëjti biznesmen i kishte paguar në muajin dhjetor ministres rrugën kur ajo qëndroi në Tunizi për pushime.
NOA