English

Askush nuk guxon t’ju rrahë

NIKO NE SME DA VAS BIJE = ASKUSH NUK GUXON T’JU RRAHË

Nga Behxhet Sh. Shala

Spiralja e dhunës dhe spiralja e mashtrimit: “ Niko ne sme da vas bije “ ishte slogani shovinist të cilin Sllobodan Millosheviqi e brohoriti për herë të parë në Fushë Kosovë në vitin 1989. Kjo ishte një parullë kobndjellëse me të cilën projektuesi i krimeve kundër shqiptarëve i trimëronte ekstremistët serbë të Kosovës, në njërën anë dhe i kërcënonte shqiptarët në kohën kur politikanët e atëhershëm shqiptarë i kishte shtrirë për toke, në anën tjetër. Pas plotë 22 vjetëve, Behgjet Pacolli, president i Dellit, Pushikarit, Piter Fajtit dhe Rada Trajkoviqit, disa në cilësinë e kurdisjes së rezultateve e disa si përkrahës moral dhe material i përsëriti thuaja të njëjtat fjalë sikur gazda i tij i dikurshëm Millosheviqi por tash në Mitrovicën e ndarë, përkatësisht në pjesën e saj veriore që administrohet nga bandat serbe të quajtura struktura paralele dhe shteti i Serbisë, në bashkëpunim me UNMIK dhe EULEX. Presidenti i Valës së Kosovës, IPKO-s dhe Z-Mobile të Zeuses së Uzbekistanit ( si kontribues jo të drejtpërdrejt të zgjedhjes së tij, por shumë të rëndësishëm ) e bëri një hap sikur dikur astronauti Nil Armstrong i cili me të shkelur në Hënë tha se: “Ku ishte një hap i vogël mbase për të por një hap i madh për njerëzimin”. Edhe Behgjet Pacolli mund të llogaritet astronaut; në politikë dhe në postin e presidentit u katapultua nga të tjerët. E bëri një vizitë “ historike “ në Veriun e Mitrovicës duke e takuar pakicën shqiptare e cila aty kishte mbetur në mëshirën e Zotit dhe vullnetin e bandave serbe nëse do t’i shpërngulin nga aty apo edhe do t’i vrasin. Sikur në shkurtin e vitit 2000 kur brenda javës, shqiptarët nga shumica absolute u shndërruan në pakicë absolute. I vranë 10 ndërsa i shpërngulën dhunshëm mbi 13.000 mijë. Të shndërruar në muhaxhirë të shtetit të tyre, pa përkrahjen e askujt, ata me shpresë e pritën presidentin e Dellit i cili u tha fjalët “historike” se :” askush nuk guxon t’ju prekë me gisht”. Me gisht jo por me mjete të forta, armë të ftohta dhe armë zjarri bënë. Sikur që kanë bërë deri më tani. I mbytyri thonë se kapet për fije kashte kurse shqiptarët e mbetur në atë pjesë së Kosovës së okupuar nga Serbia nuk patën mundësi të kapen as për fije kashte sepse u kapën pas fjalëve të Pacollit, mikut të ngushtë të diktatorit dhe vrasësit së popullit të tij, Moamer el Gadafit nga i cili e bëri një distancim të shpejtë dhe të lehtë dhe të josinqertë kur, jo më larg se disa muaj hidhte valle para tij, në krye të një delegacioni folklorik për “ lobim”. Gjatë këtij ekskursioni në Libi, Soraja nga Jakova, tash zëvendëse e Thaçit është munduar me të gjitha shkathtësitë e saj t’i rrisë adrenalinën diktatorit të Libisë dhe mikut të ngushtë të Bacës së saj. Gojëkëqinjt flasin ( unë me ta nuk pajtohem ) se nga djersa që u ka shkuar lugut të prapanicës gjatë vallëzimit eksitues dhe tundues, lehtë kanë mundur ta aktivizojnë një minihidrocentral. Si ato që janë ndërtuar në rrethin e Deçanit. Pacolli, gjatë vizitës në Veriun e Mitrovicës kishte më shumë truproja se idoli i tij i dikurshëm dhe të cilin, sipas fjalëve të presidentit të Dellit dhe Pushikarit e pati parë cullak, Josip Broz Titos. Nuk ka asnjë dyshim se sa i përket përkrahjes dhe kushteve që duhet t’i plotësoi për president, edhe Pacolli është president cullak. E keni parë se si zgjerohej presidenti i Dellit duke hecur rrugëve të Mitrovicës i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Bajram Rexhepi. Policët e EULEX-it, policët e Kosovës dhe Garda Pretoriane e Pacollit ishin thuaja 99.99% e shpurës që e shoqëronin kryetarin. Policët e EULEX-it tregonin muskujt duke e mbrojtur një person që as që ka pasur nevojë të mbrohet në kohën kur, po këta policë, nën presionin e ekstremistëve serbë u detyruan që të tërhiqen nga patrullimi në rrugët nëpër të cilat bëhet kontrabandimi i të gjitha mallrave. Për këtë arsye buxheti i Kosovës dëmtohet me qindra milionë euro. Jam i sigurt se Behgjet Pacolli më i sigurt do të ndjehej në Veri të Mitrovicës se në Prishtinë. Andaj,simulimi i rrezikut duke u rrethuar me qindra policë ishte i panevojshëm. Krejt i panevojshëm. Çdokush që e njeh të kaluarën e Pacollit e di se e tëra kjo është bërë për marketing politik. Apo janë bërë përpjekje që të forcohet pozicioni i tij përmes injektimit të një viagre me afat të skaduar (policia e EULEX-it) në kohën kur kontestohet nga të gjithë. Serbët as që kanë besuar se Pacolli mund të bëhet kryetar i Kosovës prandaj nuk kanë as një arsye të vetme ta rrezikojnë ate. Më së shumti që kanë mundur ta bëjnë ka qenë që t’i derdhin lotët e gëzimit. Pacolli vazhdimisht i akuzon mediet se i keqinterpretojnë intervistat që i ka dhënë më parë dhe i jep vazhdimisht në përpjekje të shfajësimit prej gafave që i bënë “ në mënyrë industriale “. Deri më tani nuk e ka demantuar asnjë medium të huaj, qoftë me shkrim apo duke kërkuar satisfakcion ligjor. Për arsye të thjesht se e dinë shumë mirë çka ka deklaruar për ato medie. Prandaj, nëse Sllobodan Millosheviqi me atë thënien e “ famshme “ në Fushë Kosovë e ka legalizuar politikën e dhunës ndaj shqiptarëve, edhe Behgjet Pacolli me këtë thënien e “ famshme “ në Veriun e Mitrovicës po përpiqet ta legalizoi mashtrimin. Mirëpo, nuk e përjashtoj mundësinë ta kem gabim në vlerësimin për rolin e Pacollit në të ardhmen. Për të kaluarën nuk e kam asnjë dyshim të vetëm. Ka punuar për interes të Serbisë dhe Rusisë dhe kundër interesave të Kosovës. Dihet mirëfilli roli i tij si mësit i Millosheviqit. Në kohën e martirizimit të familjes Jashari, ai ishte pjesë e projektit serbo – rus, si një ndërmjetësues për bisedime. Tash, po përpiqet të na bind se këtë e ka bërë për të mirën e Kosovës dhe shqiptarëve. Dikush edhe po i beson. Po shiten për një grusht para të Jelcinit, Bora Millosheviqit dhe Moamer el Gadafit. U mbetshin në fyt.

A është vetëm Ramushi me faje? : Njeriut që më së shumti i dolën duqat kohëve të fundit në Kosovë është ambasadori Kristofer Dell. Ato ndërhyrje që i bëri në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës mund të hyjnë në antologji të injorancës, në fushën e diplomacisë. Kërcënimi i tij ndaj medieve të cilat kinse ia paskan cenuar “ privatësinë” duke i bërë publike sms e tij dhe këshilltarit të Pacollit Pushikarit, e që ishin përcaktues për inxhenjeringun institucional do të mjaftonin që ai të shpallet persona non grata në Kosovë apo që shteti amerikan ta thërrasë urgjentisht në një bisedë konsultative pas së cilës nuk do të mund të shërbente si diplomat as në Xhamahirinë e Gadafit, jaranit të Pacollit. Pasi u zu me pelë ( telefon ) për dore, ambasadori Dell u zhduk për 2-3 ditë. Nuk u dëgjua fare. E kishte punën pisk sepse i kërcënonte mediet në kohën kur angazhohej për kinse lirinë e medieve. Letrën që e dërgoi në adresë të KPM nuk më ka rënë ta shoh në faqen e Ambasadës amerikane në Prishtinë. Nuk e besoj se Stejt departamenti amerikan është në dijeni për vrazhdësinë e ndërhyrjes së ambasadorit Dell në procesin e votimit. Prandaj, të gjithë ata që e paraqesin rolin e cullakosur të ambasadorit të korruptuar në çdo pikëpamje, bartin një rrezik që të damkosen si antiamerikanë, që nuk është aspak e vërtetë. Nga një pozitë krejt defanzive, për shkak të gabimeve apo qëllimeve të tij që ka dashur të mbesin të pazbuluara, ambasadori Dell u ringjall si Krishti dhe e “ gjeti “ fajtorin që do ta përdor si faturë për sms e tij dhe të Pushikarit. Ai, sipas ambasadorit Dell është Ramush Haradinja që rri i ngujuar në qelinë e burgut të Sheveningenit. Me këtë z. Dell e ka zgjëruar akuzën kundër Ramushit dhe nuk është aspak çudi nëse ftohet nga Tribunali i Hagës,si dëshmitar i Prokurorisë. Moralisht është një goditje shumë e ulët dhe e papranueshme në aspektin njerëzor. Po Delli mund ta bëjë edhe këtë. Sepse është Zeusi, në folenë e qyqeve.

Këshilltari pa tru, si gomari pa dru: Kryetari Pacolli ende po bënë gabime. Disi, sikur nuk po e gjenë veten në rolin që e ka ëndërruar dhe që ka bërë çmos për ta arritur. Deri tash është dashur ta kuptojë se çfarë dëmi i ka bërë këshilltari i tij, Pushikari. Dhe Delli. I kanë bërë shërbimin më të keq të mundur duke e bërë president. Tash është bërë objekt talljeje. Edhe këshilltarët e rinjë, në veçanti ai që ka tituj akademikë dhe shkencorë disa metra të gjatë e që i flet në vesh si një grua e mërzitshme që i bënë burrit xëërr, xëërr në vesh nuk po e mësojnë si duhet. Nuk e di nëse këtë e bëjnë për shkak të mosdijes së tyre ( ka shumë mundësi ) apo shkaku që Pacollit i pëshpëritin në vesh në gjuhën që ai e kupton fare pak, në gjuhën shqipe. Si president i zgjedhur me votën e 90% të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nuk do të duhej të bënte aq shumë gabime. Ndryshe, ua merr fytyrën 90 % votuesve të tij ( në mesin e tyre shumë luftëtarë të lirisë, ish të burgosur politikë, intelektual në zë dhe ajkës së patriotizmës kosovare ) e sidomos ambasadorit Dell dhe Esad Pushikarit, këshilltarit të tij.

Dhe krejt në fund kam një sqarim. Njerëzia po mendon se mos kam diçka personale me Behgjet Pacollin andaj po e cenoj personalitetin e tij. Nuk kam asgjë personale ndaj tij ndonëse sipas Kanunit të Lekës më ka borxh. Më janë kërcënuar dhe më kanë fyer familjen, familjarët e tij të ngushtë. Dhe të tjerët, në emër të tij. Mua nuk më intereson fare Behgjet Pacolli si person. As me kënd jeton, as me çfarë biznesi merret. Mua më intereson çka ka bërë dhe çka bën për Kosovën. Deri tash nuk mendoj se ka bërë diçka të hajrit për Kosovën. Mirëpo, nëse donë të bëjë diçka të mirë për Kosovën tash e ka mundësinë. Vetëm me rezultate mund ta pastrojë të kaluarën e tij dhe të na bind se ne që e kritikojmë e kemi gabim. Në këtë rast unë do të jem i pari që do t’i kërkoj falje publike. Pa asnjë dyshim. Po duket se nuk ka shenja që duken se vërtetë ka vendosur ta lë pas të kaluarën. Sepse, përmes së kaluarës ai po përpiqet ta ndërtojë të ardhmen e tij në Kosovë.

KOMENTE