Tiranë, 28 shkurt 2011, NOA - Ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Marc Perrin de Brichambaut vlerësuan ecurinë e deritanishme të projekteve të mbështetura nga OSBE në Shqipëri. Ministri Basha gjatë bisedës me zotin de Brichambaut evidentoi asistencën e çmuar teknike të OSBE-së për modernizimin e shërbimit të Gjendjes Civile dhe për Regjistrin Kombëtar Elektronik të Adresave, si dhe kontributin e vazhdueshëm të OSBE-së për modernizimin dhe trajnimin me praktikat më bashkëkohore europiane të policisë shqiptare.
Në këtë kontekst, ministri i Brendshëm informoi sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së për çertifikimin e 16 oficerëve të policisë si instruktorë policorë ndërkombëtarë, të cilët do të asistojnë në trajnimin e policisë afgane.
Ministri Basha e informoi gjerësisht zotin de Brichambaut për rezultatet e arritura në luftën kundër krimit të organizuar, kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
“Tashmë kemi kaluar në një fazë tjetër të rëndësishme të luftës kundër krimit të organizuar, atë të identifikimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale”, i tha përfaqësuesit të lartë të OSBE-së Ministri.
Basha foli edhe për nismën e Shqipërisë në kuadër të MARRI-t për konkretizimin e një Shengen-i ballkanik, që do t’u mundësojë lëvizjen e lirë qytetarëve të vendeve të rajonit, vetëm me dokumente identifikimi.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE Marc Perrin de Brichambaut vlerësoi progresin e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe të gjithë formave të kriminalitetit dhe shprehu mbështetjen e OSBE për zbatimin e ligjit për identifikimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.
De Brichambaut shprehu mbështetjen e plotë për vijimësinë e projekteve të OSBE-së në Shqipëri në të gjitha fushat e bashkëpunimit dhe po ashtu edhe për rajonalizimin e përvojës së Shqipërisë për kontrollin e kufirit blu nëpërmjet Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare.
mit/NOA