English

Brichambaut: Të nisë dialogu, 8 maji i jep fund krizës

Tiranë, 28 shkurt, NOA – Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin de Brichambaut gjatë takimit të zhvilluar sot me Presidentin Bamir Topi ka kërkuar nisjen e dialogut politik në vend dhe gjetjen e një zgjidhje për situatën e krijuar.

“Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së shprehu gatishmërinë e kësaj organizate për të ndihmuar vendin tonë për të garantuar që zhvillimi politik i vendit të jetë në përputhje me angazhimet e tij ndaj OSBE-së, parimet dhe standardet demokratike si dhe me aspiratat e tij për të ardhmen. Në Shqipëri duhet të rifillojë dialogu politik konstruktiv brenda institucioneve politike shqiptare dhe të rivendoset sërish fokusi i përbashkët tek e ardhmja e Shqipërisë në Evropë, theksoi zoti Mark Perrë dë Brishambo dhe nënvizoi se zgjedhjet vendore të datës 8 mund të shërbejnë si një instrument kyç për të ndihmuar në kapërcimin e ngërçit aktual politik. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, vuri në dukje dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm që mund të luajë Presidenti i Republikës në këtë drejtim”, njofton zyra e shtypit e Presidencës për takimin .

Kreu i shtetit ka mirëpritur angazhimin dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për kapërcimin e situatës së krijuar në mënyrë që procesi elektoral për zgjedhjet për pushtetin vendor të përcaktuara për t’u mbajtur në datën 8 maj të jetë i lirë, i ndershëm dhe i pakontestueshëm nga partitë politike në vend.

Topi i bëri me dije qëndrimin e tij institucional Sekretarit të OSBE lidhur me situatën e krijuar në vend të shprehur dhe në letrën dërguar kryetarëve të partive politike parlamentare dhe të partive të tjera politike me rol aktiv në qeverisjen vendore.

“Ngjarjet tragjike të 21 janarit, ku në rrethana të papranueshme u shënuan akte dhune ndaj institucioneve të shtetit dhe ku humbën jetën katër qytetarë, kërkojnë domosdoshmërisht një hetim profesional, të plotë dhe të pavarur me qëllim që cilido individ, i cili ka shkelur ligjin, pavarësisht përkatësisë politike ose profesionit, të përballet me pasojat e merituara ligjore”, u shpreh Presidenti i Republikës.

Gjithashtu, Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e demonstrimit nga partitë politike të vullnetit politik si dhe përgjegjësi për gjetjen e një zgjidhjeje të situatës konfliktuale përmes dialogut institucional. Ai shtoi se në përmbushje të rolit të tij kushtetues dhe ligjor që përcaktohet nga pozicioni i tij institucional mbi partitë, ritheksoi gatishmërinë e tij për të marrë çdo veprim të nevojshëm që nxit apo garanton dialogun politik institucional midis palëve politike.

a.k/NOA

KOMENTE