Tripoli, 28 shkurt 2011, NOA – “I gjithë populli më do dhe do të vdiste për të më shpëtuar”. Është kjo deklarata që ka bërë sot koloneli libian Muammar Gheddafi, i cili përkundër thirrjes së SHBA-ve për largimin e tij nga pushteti dhe sanksioneve të vendosura për shkak të dhunës së ushtruar ndaj popullit shpreh edhe më tej mosvullnetin për të dhënë dorëheqjen.
Këtë deklaratë lideri i revolucionit libian, i cili është në krye të Libisë prej 42 vitesh e bëri në një intervistë për gazetaren e njohur Cristian Amanpour të kanalit amerikan ABC.
Gheddafi ka thënë më tej se ai nuk ka parë asnjë protestë kundër tij nëpër rrugët e Tripolit.
Madje, ai është shprehur se ndjehet i tradhtuar nga disa vende të Perëndimit me të cilët kishte vendosur marrëdhënie vitet e fundit.
Në këtë kontekst gjatë intervistës me Amanpour, Gheddafi akuzoi këto vende se po tentojnë të kolonizojnë Libinë.
Sipas opozitës libiane në Tobruk është vënë nën kontroll eksporti i naftës drejt lindjes.
mit/NOA