English

Imami-Brichambaut: Do mbështesim sigurinë globale

Tiranë, 28 shkurt 2011, NOA - Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin de Brichambaut u takua sot edhe me Ministrin e Mbrojtjes Arben Imami. Dy zyrtarët diskutuan për procesin e demontimit të municioneve të tepërta, si dhe kontributin që Shqipëria jep për sigurinë e paqes në rajon dhe botë si anëtare e NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, de Brichambaut përgëzoi punën e bërë deri tani në drejtim të demontimit të municioneve të tepërta të mbetura nga regjimi komunist.

“Unë ju përgëzoj për punën e mrekullueshme që keni bërë në drejtim të asgjesimit dhe demontimit të municioneve të tepërta, pasi ky është një proces i vështirë, që kërkon shumë punë dhe angazhim të madh. Ju keni realizuar dhe po ia dilni me sukses të demontoni një sasi të konsiderueshme të lëndëve plasëse dhe të rrezikshme dhe unë në emër të OSBE-së, ju përgëzoj në këtë drejtim. Gjithashtu dua të vlerësoj marrëdhënien e shkëlqyer që ka Shqipëria si një vend anëtar me të drejta të plota në NATO, me vendet e tjera të rajonit, por në veçanti edhe me vendet e tjera të Aleancës së Atlantikut të Veriut”, u shpreh de Brichambaut.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, u ndal edhe në kontributin që Forcat e Armatosura po japin në Afganistan, në kuadër të sigurisë dhe paqes atje.

“Shpreh mirënjohjen dhe respektin tim të veçantë për kontributin që FA Shqiptare japin në Afganistan, duke u bashkangjitur përkrah aleatëve të tyre”, tha ai.

Ministri Imami duke e falenderuar Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së për mbështetjen dhe përkrahjen që po i japin gjithnjë e më shumë vendit tonë tha se “Sigurisht, Forcat e Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes, do të vazhdojnë të mbështesin edhe më tej sigurinë globale me trupa paqeruajtëse, duke kontribuar për të siguruar stabilitetin dhe paqen në rajon dhe në mbarë botën”.

Imami garantoi se “Ministria e Mbrojtjes dhe FA-të janë të vendosura që përkrah demontimit të municioneve, proces ky i cili do të përfundojë deri në vitin 2013, që t’i kushtojnë një vëmendje të madhe edhe sigurisë së paqes, duke dërguar në vendet e kërcënuara nga terrorizmi, trupa paqeruajtëse dhe luftarake”.

Në përfundim të kësaj vizite dy zyrtarët shkëmbyen dhurata simbolike ndërmjet tyre, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, de Brichambaut, la një mesazh mjaft domethënës në librin e përshtypjeve të MM-së.

Nesër, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin de Brichambaut, së bashku me delegacionin që e shoqëron do të zhvillojë edhe një vizitë në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës, Elbasan, ku do të shohë nga afër punën dhe instalimin e linjave të reja për demontimin e municioneve në ULP Mjekës, në Elbasan.

mit/NOA

KOMENTE