Tiranë, 28 shkurt, NOA – Partia Socialiste i ka cilësuar të papranueshme deklaratat dhe sulmet që mozhoranca po bën ndaj Prokurores së Përgjithshme. Në një reagim ndaj deklaratave të bëra sot nga deputetja e PD-së, Mesila Doda, ligjëvenësia e PS-së, Mimi Kodheli u shpreh se për sjelljen e mazhorancës e ka fajin kryeministri Sali Berisha.
“Nëse Prokurorja e Përgjithshme nuk bën si do Saliu, fajin e ka Saliu jo Ina Rama. Nëse Prokurorja e Përgjithshme heton vrasjet e 21 janarit fajin e ka Saliu jo Ina Rama. Nëse Prokurorja e Përgjithshme s’dëgjon thirrjet e dhunëshme të oborrit të pushtetit për të goditur opozitën, fajin e ka Saliu jo Ina Rama. Dhe nëse nuk ka e s’mund të ketë asnjë provë apo fakt që provon shpifjet e intrigat e Saliut për liderin e opozitës, fajin e ka përsëri Saliu. I cili duhet të largohet bashkë me baltën që hedh përditë mbi Shqipërinë”, tha Kodheli.
Ai u shpreh se është e papranueshme që kryeministër i këtij vendi në mes të Europës, të organizojë një fushatë “të përditshme lincimi publik kundër një gruaje në detyrë si Ina Rama”.
Ajo u ndal edhe në akuzat konkrete që ka bërë kryeministri ndaj kryeprokurores. “E quajti në fillim me gojën e tij me një fjalë që se përmban edukata qytetare. Pastaj vazhdoi dhe vazhdon, duke nxjerrë përditë shërbëtoret e shërbëtorët e oborrit të pushtetit të tij, me një fjalor që nuk fyen thjesht zonjën Ina Ramën, po çdo grua, çdo vajzë, çdo porosi të traditës shqiptare e çdo normë të kulturës evropiane”, tha Kodheli.
a.k/NOA